Lidhje

Propaganda e Shtetit Islamik


Ndërsa grupi terrorist Shteti Islamik vazhdon të humbasë territore në Irak dhe Siri, analistët thonë se propaganda e tij ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm. Shumë nga videot e fundit të realizuara nga grupi, janë përqëndruar në betejën për qytetin irakian të Mosulit - dhe thirrjet për luftëtarët e huaj për t'u bashkuar me grupin nuk janë më aq të spikatura.

Një nga videot e fundit të propagandës nga Shtetit Islamik tregon sulme vetvrasëse me bombë mbi forcat irakiane në Mosul.

Charlie Winter me Qendrën Ndërkombëtare për Studimet e Radikalizmit me seli në Londër, ka ndjekur prej vitesh përpjekjet mediatike të grupit terrorist.

“Ka patur një ndryshim të madh nga ideja e një utopie islamike drejt realitetit të luftës. Kjo video, dhe të tjera si ajo, janë realizuar për të treguar se Shteti Islamik mund të jetë duke humbur territore, por po tërhiqet nga këto territore me një kosto sa më të rëndë për armikun”.

Kur Shteti Islamik ishte në kulmin e fuqisë, shumë video ishin të përqëndruara tek ëndrra utopike e një kalifati – duke treguar pejsazhe të paqta dhe më pak luftime. Kjo video e vitit 2014 tregon një luftëtar britanik duke u përpjekur të bindë myslimanë të tjerë të shkojnë në Siri dhe Irak.

“Grupi ende po përpiqet të komunikojë me luftëtarë të huaj por në një mënyrë të ndryshme për nga përmbajtja e mesazhit. Nuk po bën më thirrje që njerëzit të shkojnë në Irak dhe Siri. Po thotë ‘qëndroni në vendet tuaja dhe kryeni sulme aty ku jeni’,” thotë zoti Winter.

Shteti Islamik ka ndërmarrë disa sulme përtej Lindjes së Mesme përfshirë në Francë, Gjermani dhe Turqi. Por ndërsa ëndrra për një kalifat islamik zbehet, propaganda gjithashtu po dobësohet, thotë zoti Winter.

“Ka patur më pak vende rreth të cilave të bëjë propagandë, dhe ka më pak vende ku ta bëjë propagandën. Sigurisht që koalicioni po e godet grupin nga të gjitha anët”.

Shteti Islamik ende nxit idealin e tij utopik. Kjo video e fundit – e titulluar “Elemenët Bazë” tregon shërbimet publike të grupit terrorist në Raka të Sirisë. Një polic i qeshur drejton trafikun.

“Toni në video është interesant pasi është gati nostalgjik, sikur grupi po pranon se në territoret që kontrollon, edhe në qytete si Raka, që është një nga bazat më të forta të grupit, kontrolli i organizatës po vihet në pikëpyetje. Kur bien moralisht, luftëtarët e ISIS mund të shohin këto video dhe të mendojnë ‘kështu ishte në kohën kur Shteti Islamik kishte kontroll territorial’.”

Zoti Winter thekson se Shteti Islamik vazhdon të realizojë materiale tepër të dhunshme, por këto materiale rrallë përcillen nga transmetues të pavarur, një ndryshim që analistët thonë se e dobëson edhe më tej praninë mediatike të Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG