Lidhje

Obama, Kongresi dhe lufta kundër ISIS


Presidenti amerikan Barack Obama paraqiti një kërkesë në Kongres për miratimin e një autorizimi të ri trevjeçar për përdorimin e forcës ushtarake kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera ekstremiste. Propozimi vjen në një kohë kur Kongresi është informuar se ka filluar një valë e paprecedent luftëtarësh të huaj drejt Irakut dhe Sirisë për t’u futur në radhët e Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest thotë se ndërsa zoti Obama beson se e ka autoritetin të urdhërojë goditje ushtarake kundër grupit Shteti Islamik, autorizimi i ri do të përbënte një “simbol të fuqishëm” bashkimi për të dobësuar dhe shkatërruar ISIS.

"Në periudhën e ndërhyrjes, që kur presidenti diskutoi për herë të parë këtë çështje në nëntor dhe madje edhe më parë, zyrtarët e administratës janë angazhuar në bisedime me demokratët dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Presidenti beson se mesazhi është edhe më i fuqishëm nëse ka mbështetje dypalëshe”.

Zoti Obama i ka justifikuar goditjet ajrore të koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, duke përdorur një autorizim të vitit 2001 të miratuar nga Kongresi për Presidentin e atëhershëm George W. Bush, pas sulmeve të 11 shtatorit.

Autorizimi i ri, i hartuar për zëvendësimin e autorizimit të kongresit në vitin 2002 për luftën në Irak, pritet të parashikojë dislokimin e Forcave Speciale dhe këshilltarëve, pa u kushtëzuar nga kufijtë gjeografikë, por nuk parashikon “forca ofensive tokësore”.

"President nuk beson se është në interesin tonë kombëtar për dislokimin masiv ushtarak amerikan në terren, në një rol luftarak në Irak dhe Siri”.

Zoti Earnest thotë se intensiteti i konsultimeve mes administratës dhe Kongresit është rritur javët e fundit dhe formulimi i fundit i autorizimit do të jetë produkt i këtyre diskutimeve.

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, thotë se kjo çështje do të mbizotërojë në debatin e kongresit gjatë javëve në vazhdim.

"Kjo është një çështje aq me rëndësi saqë ne nga ana proceduriale do të përpiqemi të përfshijmë të gjithë në diskutimet e javës që vjen. Nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme para kongresit sesa autorizimi për përdorimin e forcës ushtarake dhe ne presim të shohim formulimin e presidentit dhe se çfarë kërkon nga ne”.

Njëkohësisht, ligjvënësit amerikanë dëgjuan dëshmitë nga ekspërtët e kundërterrorizmit se mbi 20 mijë vullnetarë nga 90 vende që po shkojnë në Irak dhe Siri për t’u bashkuar me ISIS. Qendra kombëtare e kundër-terrorizmit thotë se mbi 150 janë amerikanë ose banorë të përhershëm të Shteteve të Bashkuara.

Numri i këtyre luftëtarëve vullnetarë po quhet i paprecedent dhe e tejkalon atë të atyre që shkuan në luftë në Afganistan, Pakistan, Irak, Jemen apo Somali në 20 vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG