Lidhje

Strategjia për luftimin e ISIS-it


Presidenti Barack Obama tha se përpjekja kundër ISIS do të jetë e gjatë, e ashpër dhe fitorja do të kërkojë më shumë se sa fuqinë e ushtrisë amerikane.

"ISIL është grup oportunist dhe i shkathët. Në shumë rajone në Siri dhe Irak, duke përfshirë zonat urbane, ata janë vendosur në mesin e popullsive të pafajshme civile. Prandaj çrrënjosja e tyre do të marrë kohë, dhe realizimi i këtij qëllimi duhet të jetë përgjegjësi e forcave lokale në terren me trajnimin dhe mbështetjen ajrore nga koalicioni ynë," tha Presidenti Obama.

Zoti Obama bëri këtë vlerësim dje pas takimit me Sekretarin e Mbrojtjes Ash Carter dhe komandantë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë të zbulimit në Pentagon. Takimi pasoi një fundjavë sulmesh ajrore intensive nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve, të cilët që nga viti i kaluar kanë marrë nën kontroll hapësira të mëdha në Irakun verior dhe perëndimor dhe në Sirinë lindore.

Zoti Obama u rezistoi thirrjeve për dërgimin e trupave tokësore në Irak, duke dërguar atje këshilltarë dhe specialistë ushtarake për trajnimin e forcave irakiane.

Por përparimi ka qenë i kufizuar, ushtria e Irakut nuk ka arritur sukses të madh në rimarrjen e qyteteve të mëdha veriore dhe perëndimore.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu janë ndeshur me vështirësi në gjetjen e dhe stërvitjen e rebelëve të moderuar sirianë. Agjencia Associated Press njofton se më pak se 100 rebelë janë stërvitur deri më sot, një pjesë e vogël e planit për stërvitjen e 5400 luftëtarëve.

Duke pranuar suksesin e grupit ISIS në tërheqjen e rekrutëve nga e gjithë bota, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, zoti Obama tha se lufta kundër Shtetit Islamik është "një betejë më e gjërë për të fituar zemrat dhe mendjet" dhe pritet të jetë "një luftë brezash".

XS
SM
MD
LG