Lidhje

Shteti Islamik dhe kriza në Lindjen e Mesme


Dhjetra familje të krishtera u larguan nga një qytet sirian për shkak të frikës se militantët e shtetit islamik po përparojnë drejt qytetit dhe po planifikojnë një ofensivë të madhe, thanë aktivistët.

Osama Edward, drejtori i Rrjetit të krishterë Asirian për të Drejtat e Njeriut në Siri, tha se "qindra familje", kanë ikur nga qyteti Sadad me popullsi të krishterë drejt qytetit Homs të mbajtur nga qeveria dhe kryeqytetit, Damask.

"Njerëzit janë duke jetuar në frikë," tha zoti Edward. "Shumë të krishterë rreth qytetit Sadad kanë frikë se atyre mund t’u ndodhë ajo që ndodhi me popullatën etnike Yazidi në Irak dhe të krishterët e tjerë në territorin e kontrolluar nga shteti islamik, pra të zgjedhin mes ikjes, konvertimit në Islam ose përballjes me vdekjen," tha zoti Edward.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani konfirmoi se ka patur luftime të ashpra në një zonë mes qytetit Qaryatain dhe fshatit Mheen, i cili është në gjysmë të rrugës për në Sadad.

Rreth 10 për qind e popullsisë së paraluftës prej 23 milionë banorësh të Sirisë është e krishterë.

NJË VIT NGA BOMBARDIMET AMERIKANE KUNDËR ISIS

Një vit më parë, më 8 gusht 2014, Shtetet e Bashkuara filluan bombardimin e objektivave të Shtetit Islamik në Irak.

Që atëherë, koalicioni i udhëhequr nga SHBA ka goditur grupimin militant në Irak dhe Siri me mbi 6 mijë sulme ajrore. Megjithëse, ISIS ka humbur territor, ai ka dëshmuar elasticitet dhe vazhdon të përbëjë kërcënim për rajonin, sidomos për zonat me popullsi turke pranë kufirit sirian.

Të premten, Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të reja kundër militantëve të Shtetit Islamik pranë qytetit Irbil, në Irak.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se avionët goditën militantët ekstremistë të afruar pranë një stacioni trajnimi ku ka ekspertë amerikanë. Forcat vendore kurde mirëpresin çdo ndihmë në përballimin e ofensivës së Shtetit Islamik, por ata kërkojnë edhe armatim.

“Dua t’i bëj të ditur botës se nuk po e bëjmë këtë betejë vetëm për Kurdistanin, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar," thotë Gjeneral Mansour Barzani, i Forcave Speciale Kurde.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha të premten se Shteti Islamik ka humbur rreth 30% të territorit që kontrollonte një vit më parë në Irak, si dhe një pjesë të konsiderueshme të pjesës në Siri.

“Forcat e koalicionit kanë goditur vazhdimisht udhëheqjen e ISIS, saqë ata nuk gjejnë dot më një strehë të sigurtë. Gjithashtu, SHBA dhe aleatët po ndërmarrin hapa për të ndërprerë financimin e ISIS, duke synuar kështu vështirësimin e rekrutimit të luftëtarëve të huaj," tha Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Turqia iu bashkua rishtazi operacioneve ushtarake kundër Shtetit Islamik, por duket se është më tepër e përqëndruar kundër rebelëve kurdë. Njerëzit në fshatrat turke pranë kufirit nuk ndjehen të sigurtë.

“Kemi frikë se qeveria po na braktis, dhe se do na lërë në dorë të fatit, siç ndodhi në Siri," thotë Mehmet Kahraman Alp,në fshatin Durakbasi, afër Sirisë.

Sulmet ajrore mund të ngadalësojnë avancimin e ekstremistëve, por vetëm përkohësisht, thotë një analist mbrojtjeje nga Londra.

Sipas publicistit Francis Tusa, '“Vazhdon të ekzistojë shpresa se sulmet ajrore dhe disa forca speciale në terren, do të frenojnë zgjerimin e ISIS, dhe madje edhe do të zvogëlojnë territorin e tyre.”

Zoti Tusa thotë se në periudhën afatgjatë, milicitë vendase kanë nevojë për ndihmë të konsiderueshme ushtarake në terren, për të mundur Shtetin Islamik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG