Lidhje

Luftimi i radikalizmit islamik


Islami radikal është bërë kërcënimi kryesor ndaj sigurisë në shumë vende. Por pse të rinjtë tërhiqen nga kjo ideologji? Kjo është pyetja me të cilën përballet Franca, ku autoritetet vlerësojnë se rreth 1.500 njerëz kanë lënë vendin për t'u bashkuar me grupet xhihadiste në Lindjen e Mesme, numri më i madh i tyre nga një vend i Evropës Perëndimore. Ish i burgosuri i Guantanamos, Mourad Benchellali nuk mund t’i shpjegojë të gjitha arsyet për këtë prirje, por ai ka nisur një fushatë për të ndryshuar mendjet e të rinjve të cilët duan të bashkohen me grupet xhihadiste.

Nëse jeta e Mourad Benchellalit do të kishte shkuar ashtu siç e kishte planifikuar, ai nuk do të ishte këtu, duke paralajmëruar për rreziqet e Islamit radikal. Katërmbëdhjetë vjet më parë, ai ishte i fejuar dhe kishte një vend pune. Pastaj ai shkoi në Afganistan dhe jeta e tij u përmbys.

Ai thotë se vëllai i tij i madh e mashtroi duke i thënë se do të shkonin për pushime. Në vend të kësaj, ai përfundoi në një kamp trajnimi të al-Kaidës dhe disa muaj më vonë, në burgun amerikan të Guantanamos.

Sot, zoti Benchellali është kthyer në shtëpinë e tij në Venissieux, një qytet në periferi të Lionit, në Francën qendrore. Ai po ndan me të tjerët historinë e tij në mënyrë që të rinjtë të mendojnë seriozisht para se t’i bashkohen xhihadistëve në Lindjen e Mesme:

"Njerëzit nuk i gjejnë të gjitha përgjigjet, sepse çdo histori është personale. Por unë i ndihmojë ata të gjejnë disa prej tyre".

Analistja e çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, Mansouria Mokhefi thotë se edhe autoritetet franceze janë në kërkim të përgjigjeve:

"Pyetjet më të rëndësishme sot janë, pse këta të rinj po largohen nga Franca dhe mbi të gjitha, çfarë ka dështuar në Francë që të nxisë keta të rinjë t’i bashkohen xhihadistëve?"

Këto janë pyetjet me të cilat po ndeshet i gjithë vendi, veçanërisht qytetet si Venissieux, ku papunësia në mesin e të rinjve është e lartë dhe shitja ilegale e drogës është rritur. Këtu është rritur zoti Benchellali dhe në këtë vend vëllai i tij i madh u radikalizua.

Zoti Benchellali thotë se ai ka paguar çmimin për mashtrimin nga vëllai i tij. Ai ka kaluar 30 muaj në Guantanamo para se të transferohej në një burg francez. Ai ka shkruar një libër mbi përvojën e tij, të titulluar “Një Udhëtim drejt Ferrit”.

"U lodha nga dëgjimi i pretendimeve se unë isha një terrorist, një musliman radikal. Doja të tregoja të vërtetën, historinë time".

Në fillim, pak francezë treguan interes për librin. Por, kjo ndryshoi ndërkohë që frika nga islami radikal filloj të rritej.

Sot, amvisja Chahrazed Bourih është në mesin e atyre që besojnë se zoti Benchellali mund të ndihmojë në ndryshimin e mendjeve të të rinjve.

"Ai është vetë i ri dhe flet me sinqeritet mbi përvojën e tij".

Por analistja Mokhefi thotë se ndërsa zoti Benchellali mund të bëjë një ndryshim, ai nuk mund të krahasohet me propragandën e ekstremistëve islamikë:

"Po, ai mund të ketë një rol të rëndësishëm në komunikimin, shpjegimin e pasojave por nuk jam i sigurt se ai mund të jetë i suksesshëm në ndryshimin e mendjeve".

Zoti Benchellali ka rindërtuar jetën e tij. Përvoja e tij e hidhur ka mbaruar. Tani ai shqetësohet për të tjerët dhe ky është vetëm fillimi.

XS
SM
MD
LG