Lidhje

Shteti Islamik i ka prerë kokën grave


Aktivistë sirianë thonë se militantët e Shtetit Islamik i kanë prerë kokën për herë të parë grave në Siri.

Organizata me bazë në Britani "Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut" tha të martën se grave u është prerë koka krahas me bashkëshortët e tyre në provincën lindore të Sirisë, Deir Ezzor, pasi u akuzuan se “kanë bërë magji”.

Grupi "Vëzhguesi", që ndjek luftimet në Siri përmes një rrjeti burimesh lokale, thotë se Shteti Islamik ka ekzekutuar më tepër se 3 mijë njerëz në Siri, që kur shpalli të ashtuquajturin Kalifat një vit më parë, mes tyre 1 mijë e 800 civilë.

Prerja e kokës si mënyrë ekzekutimi nuk është diçka e re për grupin Shteti Islamik, që ka kryer shumë vrasje të tilla të sirianëve, të gazetarëve të huaj dhe punonjësve të ndihmave, nga vende si SHBA, Britania, dhe Japonia.

Rick Brennan, analist politik i Korporatës RAND, i tha Zërit të Amerikës se vrasja e shtetasve amerikanë i ka detyruar zyrtarët në Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime kundër militantëve.

"Kjo është e vetmja gjë deri tani, që i ka motivuar SHBA të marrin masa, prerja e kokës së amerikanëve, ashtu sikurse vrasja e shtetasve britanikë Britaninë; këto lloj situatash shërbejnë si motivim për të marrë masa, sepse ato nxisin mbështetjen e publikut brenda këtyre vendeve", tha zoti Brennan."Por kur është fjala për një përgjigje në shkallë të gjerë ndaj këtyre militantëve, kjo realizohet, pasi ndodh një ngjarje e tmerrshme për një vend perëndimor, e cila shkakton reagim në publik."

James Jeffrey, ish-ambasador amerikan, tani analist rajonal në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërme në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se fushata e koalicionit nën udhëheqjen e SHBA ka shënuar pak arritje në përpjekjet për t'iu kundërvënë grupit Shteti Islamik.

"Ata nuk e kanë ndjerë sa duhet përgjigjen amerikane, nuk janë dëmtuar seriozisht, kanë mundur t'i zëvendësojnë personat që janë vrarë dhe nuk janë shkatërruar", - tha ai.

Zoti Jeffrey tha po ashtu se tani grupi Shteti Islamik, pa dyshim, që është kërcënimi më i madh për terror në botë.

"Ky është një grup me një dimension më të madh se sa ka qenë ndonjëherë al-Qaida. Ai po ssulmon vende. Al-Qaida nuk e ka patur kurrë këtë aftësi, - tha ambasadori Jeffrey duke iu referuar grupit Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG