Lidhje

Shteti Islamik thotë se ka ekzekutuar pengun britanik Alan Henning


Grupi terrorist Shteti Islamik thotë se ka ekzekutuar pengun britanik Alan Henning.

Grupi postoi një video të premten në mbrëmje vonë, ku tregohej vrasja e tij me prerje koke. Videoja u publikua në të njëjtën mënyrë si videot e vrasjes së tre pengjeve të tjera perëndimore.

Videoja përfundonte me një militant të Shtetit Islamik i cili kërcënon me jetën një tjetër person të marrë peng, të identifikuar si shtetasi amerikan Peter Kassig. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se Kassig është marrë peng nga grupi terrorist.

Në se videoja konfirmohet, ky do të jetë rasti i katërt që Shteti Islamik vret pengje perëndimore gjatë javëve të fundit. Militantët i kanë prerë kokën punonjësit britanik të ndihmave David Haines, si dhe gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff.

Ministria e Jashtme britanike tha se po punon për verifikimin e përmbajtjes së videos. Kryeministri britanik David Cameron tha përmes twiterit: "Vrasja brutale e Alan Henningut nga ISIL-i tregon se sa barbarë janë këta terroristë. Në këto momente i gjendem pranë bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre."

Presidenti Obama e dënoi me forcë atë që e cilësoi "një vrasje brutale". Përmes një deklarate, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të vazhdojnë të marrin masa për degradimin dhe në fund shkatërrimin e grupit Shteti Islamik.

Shteti Islamik tha se pengjet u vranë si hakmarrje për sulmet ajore të koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara ndaj pozicioneve të tyre në Irak. Koalicioni po përpiqet të ndalë fushatën e grupit për krijimin e një shteti islamik, ku të përfshihen rajone të Iraku dhe Sirisë. Henning ishte me grupin që shoqëronte një karvan ndihmash që u kap në fund të vitit të kaluar, pasi kaloi kufirin me Sirinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG