Lidhje

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Nice


Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në Nice, përmes një deklarate të publikuar në një media të vetën, duke e cilësuar autorin e sulmit një “ushtar”.

Mbetet e paqartë nëse ka patur një lidhje të drejtpërdrejtë mes sulmuesit franko-tunizian dhe grupit terrorist. Megjithatë, Ministri i Brendshëm i Francës tha sot se duket që Mohamed Lauazh Buel “ishte radikalizuar me shpejtësi”.

Ministri francez Bernard Cazeneuve tha se bazuar tek dëshmitë e para të personave që e njihnin Buelin, “ai nuk kishte shfaqur shenja se kishte lidhje me ideologjinë islamike”.

Zyra e Prokurorit të Francës tha se policia ka arrestuar sot të paktën tre persona lidhur me sulmin në Nice në Ditën e Bastijës, ku u vranë 84 persona dhe shumë të tjerë mbetën plagosur. Prokurori nuk dha infromacioen tët jera lidhur me arrestimet.

Ndërkohë, Franca filloi sot tre ditë zije kombëtare. Mes 84 viktimave ishin 10 fëmijë dhe autoritetet thonë se në mesin e mbi 200 të plagosurve, 52 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Dy shtetas amerikanë janë mes viktimave.

Autori 31-vjeçar i sulmit, Bulel, i cili jetonte në Nice, sipas autoriteteve, kishte patur raste të mëparshme thyerjes së ligjit; ai ishte i divorcuar, me tre fëmijë. Babai i tij në Tunizi, tha në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, se i biri kishte kaluar disa vështirësi në vitet 2002-2004, që i kihin shkaktuar atij probleme nervore.

Në një fjalim drejtuar vendit, Presidenti francez Francois Hollande tha se sulmi ishte kryer me synimin “për të kënaqur mizorinë e një individi dhe ndoshta edhe të një grupi.” Në komentet që bëri pasi vizitoi spitalin ku po mjekohen vitkimat, ai tha po ashtu se “Franca po përballet me një luftë, e cila do të vazhdojë gjatë.”

Presidenti Barack Obama bëri një deklaratë, ku e cilësonte sulmin “një sulm terrorist të llahtarshëm”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë për hetimet.

Ai tha se kishte biseduar në telefon me Presidentin francez François Hollande për t’i shprehur solidaritet.

XS
SM
MD
LG