Lidhje

Milicia kurde rimerr qytetin e Irakut verior


Burimet e sigurisë thonë se luftëtarët e milicisë kurde të Irakut rimorën nën kontroll një qytet verior të Irakut të shtunën, pas përleshjeve të rrepta me militantët e grupit Shteti Islamik.

Një zyrtar kurd i zbulimit thotë se luftëtarët, të njohur si Peshmerga, morën kontrollin e qytetit të Zumarit dhe disa fshatrave përreth, pas një vale goditjesh ajrore amerikane ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik.

Në Irakun qendror, zyrtarët thonë se forcat irakiane të sigurisë rimorën qytetin e Jurf al-Sakharit, pas luftimeve të ashpra me militantët e Shtetit Islamik.

Milicia kurde dhe trupat irakiane po luftojnë për të rimarrë qytetet që i kishte marrë nën kontroll Shteti Islamik, në pjesë të gjera territori të Irakut Verior dhe Perëndimor.

Ndërkohë, Presidenti i Turqisë thotë se kurdët sirianë dhe luftëtarë e Ushtrisë së Lirë Siriane kanë bashkuar forcat për të mbrojtur qytetin kufitar të Kobanit nga ekstremistët e Shtetit Islamik. Recep Tayyip Erdogan, i cili ka rënë dakord të lejojë rebelët sirianë të përdorin vendin e tij si rrugë transiti për në Kobani, njoftoi të premten se ishte arritur një marrëveshje për këtë çështje.

“Partia Bashkimi Demokratik ka thënë se ka pranuar kalimin e 1300 njerëzve nga Ushtria e Lirë Siriane dhe tani ekipet tona janë duke biseduar mbi rrugët që duhet të përdoren për kalimin e tyre”.

Megjithatë, Reuters njofton se një udhëheqës i një partie të madhe të kurdëve të Sirisë thotë se nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

Luftëtarët kurdë kanë hyrë në muajin e dytë të luftimeve për ruajtjen e kontrollit në Kobani.

Turqia ende nuk është angazhuar ushtarakisht në Siri, dhe nuk është bashkuar me sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG