Lidhje

Sulme të reja amerikane ndaj Shtetit Islamik


Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se sulmet ajrore amerikane goditën militantët e Shtetit Islamik në Siri, të cilët po komplotonin sulme ndaj Shteteve të Bashkuara, ose Evropës.

Komanda Qendrore amerikane tha se pesë objektiva të grupit Khorasan u goditën të mërkurën pranë qytetit Sarmada, pranë kufirit me Turqinë. Avionët goditën terroristët dhe shkatërruan automjete, ndërtesa dhe objekte ku ndërtohen bomba.

Video amatore të publikuara të enjten të mbrëmje thuhet se tregojnë rajonet pranë vendit të goditur.

Një zyrtar i Pentagont, i cili nuk donte të identifikohej, tha se një nga objektivat ishte David Drugeon, një francez i konvertuar në mysliman, i dyshuar si një anëtar i Al Kaidës, që ndërton bomba.

Askush nuk mund të konfirmojë në se Drugeon apo të dyshuar të tjerë janë vrarë. Pentagoni thotë se ka marrë vendimin për të mbrojtur interesat amerikane dhe për t’i hequr terroristëve aftësinë për të vepruar.

Grupi Khorasan përbëhet nga Fronti Nusra dhe ekstremistë të Al Kaidës, të cilët Pentagoni thotë se po përfitojnë nga kaosi në Siri, për të komplotuar kundër Perëndimit.

XS
SM
MD
LG