Lidhje

Ekonomia e Islandës dhe anëtarësimi në BE


Megjithëse politika e qeverisë për anëtarësim në BE është ende në fuqi, shumica e qytetarëve nuk janë më në favor të kësaj perspektive

Kur sistemi i saj bankar dështoi në vitin 2008, Islanda kërkoi me ngut të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, duke menduar se kjo mund t’i garantonte një të ardhme të sigurtë. Por që nga ajo kohë, eurozona është përballur me probleme të mëdha, ndërsa ekonomia e Islandës është rimëkëmbur. Ndërkohë, edhe mendimet e islandezëve kanë ndryshuar.

Para 4 vjetësh, qytetarët e Islandës ishin të zemëruar. Emblemat e bankave u dogjën nëpër rrugë dhe njerëzit ishin të shqetësuar se mund të humbisnin shtëpitë dhe kursimet e tyre. Vendi ndjehej i izoluar. Pas 90 vjet pavarësie, Islanda aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

4 vjet më vonë, dielli po ndriçon mbi Islandë, ndërkohë është BE-ja që duket më e errët dhe më pak tërheqëse. Megjithëse politika e qeverisë për anëtarësim në BE është ende në fuqi, shumica e qytetarëve nuk janë më në favor të kësaj perspektive. Ja mendimet e 3 prej tyre:

"Nuk dua që të heqim dorë nga monedha jonë, sepse ajo është në një farë mënyre romantike, ne jemi një vend shumë i vogël".

"Dua të kemi kronën tonë dhe jo euron".

"Mendoj se ne do të përfitonim nga euroja. Gjendja e monedhës tonë nuk është edhe aq e mirë".

Ekonomia e Islandës po rritet. Pamje të tilla tërheqin turistë të shumtë si kurrë më parë.

Vlera e monedhës së Islandës ka rënë me 50 për qind krahasuar me 4 vjet më parë. Pika turistike, si këto stacione termale, janë tani në përgjithësi më të përballueshme.

Edhe industria e peshkimit po shkon mirë. Rezervat e prodhimit të detit po shtohen, ndërkohë që pronarët e anijeve përfitojnë nga shitja e peshkut me monedhën më të mirë të Islandës.

Dhe ndërsa vendi mund të mbajë aktualisht të gjithë botën nënujore në teritorin e vet, njerëzit që bëjnë fushatë kundër anëtarësimit në BE si Hallur Hallson thonë se kjo do të ndryshonte nëse Islanda bëhej anëtare e Bashkimit Evropian.

"Bota e ujit mbizotëron shoqërinë islandeze si industria më e rëndësishme e këtij vendi. Në BE kjo industri përbën vetëm 1 deri në 3 për qind të prodhimit të përgjithshëm, por në Islandë industria e peshkimit mbizotëron çdo industri tjetër".

Në vitin 2008, Islanda i lejoi bankat të falimentonin në pagimin e borxheve, që ato nuk mund t’i përballonin.

Dhe kjo i mundësoi shtetit që të ngrinte pensionet, përfitimet nga papunësia si dhe të ndihmonte njerëzit në vështirësi me borxhet e shtëpive në një shoqëri të shokuar.

Sipërmarrësi islandez me seli në Londër, Sveinn Valfells mendon se vende të tjera evropiane në vështirësi mund të mësojnë nga mënyra se si i trajtoi Islanda bankat e saj.

“Mësimi kryesor është që bankat të lejohen të falimentojnë, por në një mënyrë të kontrolluar. Fondet qeveritare duhet të përdoren për mbrojtjen e shërbimeve bazë si arsimi dhe kujdesi shëndetsor”.

Tani shumë islandezë e shikojnë me tmerr BE-në dhe eurozonën.

Ata shikojnë vende si Greqia me borxhe të mëdha, papunësi të lartë dhe ekonomi në recesion. Ata shikojnë farmacitë e këtyre vendeve, të cilave po u mbarojnë ilaçet.
Afaristi pro-BE-së Benedikt Johannesson e pranon se gjithë kjo situatë nuk ndihmon kauzën e tij.

"Pse ta krahasojmë veten me Greqinë, pse të mos krahasohemi me Danimarkën, Hollandën, Suedinë, Finlandën, Gjermaninë, me vende që janë më afër nesh?"

Islanda nuk është i vetmi vend që po largohet nga ideja e anëtarësimit në BE. Aplikimi i Turqisë, proces që ka filluar para 25 vjetësh, duket se po venitet. Edhe kërkesat për anëtarësi të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi përballen me pengesa. Kroacia do të anëtarësohet vitin e ardhshëm në grupin me 27 vende anëtare. Por në se qeveria e Islandës vendos të respektojë dëshirën e popullit të vet, ky vend mund të mos anëtarësohet në BE për një kohë shumë të gjatë.
XS
SM
MD
LG