Lidhje

Botime dhe vlerësime për Kadarenë


Afrimi i ditëlindjes së 80-të të shkrimtarit të famshëm shqiptar Ismail Kadare ka nxitur botuesin dhe studiuesit në Tiranë të përgatitin botime të reja të romaneve të tij. Akademia e Shkencave e propozoi për çmimin “Nobel”, ndërsa shtëpia botuese “Onufri” sapo nxori nga shtypi një seri veprash të tij në formate të vogla dhe po përgatit botimin e plotë të krijimtarisë së Ismail Kadaresë në 7 vëllime.

Edhe pse po mbush 80 vjeç, shkrimtari më i famshëm shqiptar Ismail Kadare, vazhdon të krijojë plot energji dhe të ndiqet nga miliona lexues e admirues në Shqipëri, Ballkan dhe anembanë botës, i përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Veprimtari me rastin e 80 vjetorit të Kadaresë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:25 0:00

Botuesi shqiptar i Kadaresë, Bujar Hudhri, e çeli shtëpinë botuese "Onufri" mbi 20 vjet më parë dhe qysh nga fillimi bashkëpunoi ngushtë në botimin e shkrimtarin e famshëm, krahas botimit të autorëve të tjerë të njohur si Lasgushi, Martin Camaj etj.

“Shqipëria është një terren i vështirë për të bërë biznes, sidomos kur ky biznes quhet shtëpi botuese. Por unë kam mbi 20 vjet që botoj. Po aq kam edhe vite bashkëpunimi me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare. Ajo që unë kam kupttuar gjithë këto vite është një gjë shumë e rëndëishme: ishte besimi te letërsia e tij, një besim i ngjashëm si tek Hyjnia, po të perifrazoj një shprehje të Kadaresë, që e ka thënë diku, që unë jo vetëm të mbijetoj në këtë biznes të vështirë, por të kem ëndrrën, të kem kurajon, të realizoj, të botoj veprat e plota me financat e shtëpisë time botuese, veprën e plotë të Lasgush Poradecit, veprën e plotë të Martin Camajt dhe dhjetëra libra të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë këtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë” - thotë zoti Hudhri.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë sapo e ka propozuar sërish për çmimin Nobel, ndërsa shtëpia e tij botuese “Onufri” ka aktualisht në proces botimi e ribotimi 15 romane e novela në format të vogël.

“Ramë në një konsensus, që më së fundi të botojmë ato libra dhe unë jam i lumtur që pothuaj e gjithë vepra e Kadaresë është tani edhe në formën e librit të thjeshtë për lexuesit, me kopertinë të butë, me çmime të arsyeshme dhe që janë një gëzim sigurisht për lexuesin, dhe madje shumë veta nga brezi i ri nuk e kanë ditur që këto libra ekzistojnë, sepse ishin harruar prej vitesh” - thotë Bujar Hudhri, drejtuesi i shtëpisë botuese “Onufri”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë e propozoi këtë vit Ismail Kadarenë për të marrë çmimin Nobel në Letërsi. Drejtuesja e departamentit të albanologjisë në Akademinë e Shkencave, akademikja Floresha Dado, thotë se ai është një titull i merituar për shkrimtarin Ismail Kadare.

“Akademia e Shkencave dërgoi zyrtarisht, përsëriti edhe një herë tjetër, kërkesën në Komitetin e Nobelit të Akademisë Suedeze për t'i dhënë çmimin Nobel. Në këtë kërkesë ne kemi shtuar si argumente të tjera jo vetëm përmasat e jashtëzakonshme botërore që ka Kadare, faktin që vepra e tij është përkthyer në 45 gjuhë të botës, që për të kanë shkruar kritikë me vlerësime maksimale në vende të ndryshme të botës. Kadare është bërë pjesë e jetës shpirtërore të shumë popujve nëpër botë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë një shkrimtar për të marrë çmimin Nobel se sa të botohet në gjithë botën dhe të shkruajë vlerësime të larta për artin e tij kritikë të njohur nga gjithë bota, dhe që të marrë edhe shumë çmime të tjera të rëndësishme ndërkombëtare” - thotë akademike Floresha Dado.

Nga ana tjetër, zoti Hudhri theksoi se ka besim dhe admirim të madh për veprën e Ismail Kadaresë dhe ky ishte çelësi, që forcoi bashkëpunimin mes tyre.

“Jam i lumtur që kam arritur ta mbaj të pranishëm Ismail Kadarenë për lexuesin shqiptar gjithë këto vite të vështira kur gjithçka është jonormale; libraritë, biblioteka, lexuesit që nuk i kap dot, vështirësitë e komunikimit. Kemi arritur që kjo vepër të bëhet e dashur për lexuesit siç ka qenë.” - thotë zoti Hudhri.

Profesore Floresha Dado ka shumë vite që studion letërsinë, që lexon autorë të shumtë modernë dhe të traditës shqiptarë e të huaj, dhe thekson se pa dyshim Ismail Kadare përmban vlera të rralla në artin e tij

“Kadare është autor i një përmase të jashtëzakonshme. Ai është prozator dhe eseist i jashtëzakonshëm, një mendimtar i madh në esetë e tij, dhe është një qytetar me ndjeshmëri shumë të madhe përgjegjshmërie ndaj vlerave të kombit të tij. Këto vlera të kombit të tij ai si krijues i përhapi kudo në arenën ndërkombëtare” - thotë zonja Dado.

Krahas botimit të 15 librave në format të vogël, shtëpia botuese Onufri po boton këtë vit në 7 vëllime gjithë veprën e Ismail Kadaresë. Seria e re përmban më shumë vepra të Kadaresë dhe me cilësi më të lartë shtypi se ajo e 10 viteve më parë me 20 vëllime.

“Krejt natyrshëm unë do t'ja uroja shkrimtarit tonë të madh ditëlindjen, bashkë me urimin që besoj i bashkon të gjithë shqiptarët, që ky të jetë viti i Nobelit të tij, i bindur që ky çmim i vlen më tepër Shqipërisë, kulturës shqiptare, gjuhës shqipe se sa vet atij” - thotë zoti Hudhri.
Ndërkohë që Kadare vazhdon të krijojë, për veprat e tij janë kryer shumë studime brenda dhe jashtë vendit, megjithatë studiuesit besojnë se krijimtaria e tij ende ka plot mistere dhe shtresime vlerash artistike, që duhen zbuluar dhe trajtuar si një pasuri e kulturës shqiptare.

“Në të vërtetë për Kadarenë janë bërë shumë studime, artikuj studimorë dhe në Universitet janë dhënë shumë tema doktorature, të huajt kanë shkruar, por asnjëherë nuk mjaftojnë. Vepra e tij është një minierë e pashtershme. Sa herë që lexon veprat e tij zbulon një univers tjetër. Kjo është magjia e shkrimtarit të vërtetë si Kadareja. Një shkrimtar i madh si Kadareja të bën të mendosh, sa herë e lexon, se nuk ke zbuluar gjithçka dhe ke përsëri të reja për të zbuluar” - thotë zonja Dado.

Pas festimeve që po bëhen në janar për ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, Akademia e Shkencave po përgatit për në prill një konferencë shkencore për antarin e saj të hershëm mbi ndikimin e tij në letërsinë shqiptare dhe botërore si dhe për marrëdhëniet e veçanta artistike që ai ka me Kosovën.

XS
SM
MD
LG