Lidhje

Izraeli, sulme ajrore në Rripin e Gazës


Izraeli ndërmori disa sulme ajrore gjatë natës në Rripin e Gazës me mundësinë për ndërhyrje tokësore për të frenuar sulmet e militantëve me raketa ndaj Izraelit. Ka patur njoftime se sot janë parë tanke pranë kufirit me Gazën ndërkohë që zëdhënësi i ushtrisë thotë se po rekrutohen trupa rezerviste për një mission të mundëshëm tokësor.

Ushtria thotë se përdori sulmet ajrore dhe detare herët në mëngjes për të vënë në shënjestër 50 objektiva në Gaza, përfshi shtëpitë dhe zonat nga janë lëshuar raketat. Palestinezët njoftojnë për nëntë të plagosur. Izraeli tha se tetë raketa kishin goditur në jug të vendit sot herët dhe se militantët kishin hedhur më shumë se 80 raketa të hënën. Peter Lerner është zëdhënës i ushtrisë izraelite.

“Gjatë orëve të fundit, Izraeli ka qënë dëshmitar i një sulmi të gjerë me raketa të lëshuara nga Hamasi në Rripin e Gazës. Po marrim masat e nevojshme për të qënë të përgatitur në rast shkallëzimi. Po përdorim të gjithë mekanizmat tonë mbrojtës dhe kemi trupa tokësore për të ruajtur civilët dhe shtetin e Izraelit. Kemi rreth 1 milion izraelitë që gjenden të rrezikuar ndërkohë që sirenat e alarmit vazhdojnë.”

Presidenti amerikan Barack Obama po u kërkon izraelitëve dhe palestinezëve që të veprojnë me arsye dhe të përmbahen në atë që ai e quajti një moment të rrezikshëm mes dy palëve.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha dje se Sekretari i Shtetit John Kerry ka folur me udhëheqësit e të dyja palëve gjatë ditëve të fundit, duke përsëritur nevojën për uljen e tensioneve dhe dhunës.

“Sa herë që ka sulme me raketa ndaj Izraelit ne i dënojmë ato. Nuk ka vend për dhunë dhe për shtimin e tensioneve që po shohim atje. Nuk mendojmë se kjo është produktive për një shoqëri paqësore.”

Rrëmbimi dhe vrasje e tre të rinjve izraelitë dhe një palestinezi bëri që tensionet të shtoheshin edhe më tej gjatë javëve të fundit. Të dy kryeministrat, izraelit dhe palestinez i kanë dënuar vrasjet dhe janë zotuar të dënojnë personat përgjegjës.

XS
SM
MD
LG