Lidhje

Izraeli thotë se ushtari i humbur vdiq në betejë


Ushtria izraelite thotë se ka arritur në përfundimin se ushtari 23 vjeçar për të cilin ishte thënë më parë se ishte kapur nga Hamasi të premten, ishte vrarë në detyrë.

Një zëdhënës i ushtrisë thotë se kryerabini i saj konfirmoi se Hadar Goldin ka vdekur dhe se ai ia kishte dhënë personalisht lajmin familjes së tij.

Ushtria në fillim kishte thënë se luftëtarët e Hamasit e kishin rrëmbyer Goldinin kur autori i një sulmi vetëvrasës sulmoi ushtarë izraelitë që po shkatërronin një tunel pranë Rafahut të premten. Sulmi shkaktoi edhe vdekjen e dy ushtarëve të tjerë dhe ndërpreu një armëpushim, pas pak më shumë se një ore.

Deklarata e ushtrisë thoshte se Goldin “u vra në betejë në Rripin e Gazës të premten”. Hamas nuk kishte pranuar asnjëherë se e kishte marrë peng Goldinin.

Ushtria izraelit e lëshoi deklaratën, disa orë pasi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se trupat izraelite do të përfundojnë misionin e shkatërrimit të tuneleve të Hamasit nën kufirin mes Gazës dhe Izraelit dhe më pas do të vazhdojnë të operojnë në përputhje me nevojat e sigurisë së Izraelit.

Zoti Netanyahu tha dje se Izraeli ka shkatërruar dhjetra tunele, duke dëmtuar rëndë atë që ai quajti “sistem strategjik” që Hamasi ka ndërtuar për shumë vjet. Ai tha se ushtria izraelite ka shënuar sukses të konsiderueshëm në operacionin afro njëmujor në Gaza, duke shkatërruar objektiva të Hamasit dhe duke vrarë qindra militantë.

Kryeministri izraelit shtoi se Hamasi do të paguajë një cmim “të rëndë” nëse nuk u jep fund sulmeve ndaj Izraelit nga Gaza.

Duke folur për numrin e madh të civilëve palestinezë të vrarë gjatë ofensivës, zoti Netanyahu tha se do të që të theksojë se Izraeli nuk ka asgjë kundër “qytetarëve paqësorë të Gazës”. Ai tha se Izraelit i vjen keq për cdo qytetar të plagosur osë të vrarë dhe bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të ndihmuar për rindërtimin e rajonit.

Ndërkohë forcat izraelite vazhduan të godasin objektiva në Gazën jugore dje, një ditë pas dështimit të një marrëveshjeje për armëpushim. Zyrtarët palestinezë thanë se rreth 50 palestinezë humbën jetën.

Ushtria izraelite goditi objektiva në gjithë Gazën dje, përfshirë Universitetin Islamik dhe një kompani sigurimesh në qytetin e Gazës, pranë Rafahut në Gazën Jugore.

Përleshjet e së premtes pranë Rafahut i dhanë fund një armëpushimi të vështirë, pak pasi kishte filluar.

Krahu ushtarak i Hamasit tha në një deklaratë se nuk kishte dijeni për ushtarin e humbur izraelit dhe tha se ia mund të ishte vrarë me dy izraelitë në një sulm vetëvrasës me bombë.

Spitalet në Gaza janë të mbingarkuara me të plagosur pas 26 ditësh luftime, tha kreu i një rrjeti organizatash civile, Amjad Shawa.

"E gjithë Gaza është nën sulm. Kushtet humanitare janë katastrofike për shkak të goditjeve të vazhdueshme ajrore izraelite dhe bombardimeve me artileri në zona të ndryshme të Rripit të Gazës. Shumica e objekteve janë civile”.

Ai tha se grupet humanitare nuk janë në gjendje të ushqejnë apo të plotësojnë nevojat shëndetësore të rreth 400 mijë palestinezëve që mendohet së janë zhvendosur nga konflikti.

Ushtria izraelite u tha banorëve në lagjen veriore të Beit Lahiyas dje në mbrëmje se mund të ktheheshin në shtëpi, duke lënë të kuptohet se operacionet tokësore të Izraelit atje kanë përfunduar. Por banorët gjthashtu u paralajmëruan që të kishin kujdes për paisje eksplozive të vendosura nga luftëtarët e Hamasit, që mund të vazhdojnë të jenë në atë zonë.

XS
SM
MD
LG