Lidhje

Izraeli tërhiqet nga negociatat për armëpushim


Izraeli ka vendosur të mos dërgojë negociatorë në Kajro për bisedimet e planifikuara me palestinezët, një ditë pasi e akuzoi Hamasin për shkeljen e një armëpushimi që duhet të vazhdonte 72-orë.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat tha se një delegacion palestinez do të jetë në Kajro për bisedime. Por agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar i izraelit, sipas të cilit të dërguarit izraelitë nuk do të marrin pjesë. Zyrtari akuzoi Hamasin për mashtrim të ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Armëpushimi i planifikuar u prish dje rreth një orë pasi kishte filluar. Izraeli akuzoi Hamasin për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë dhe kapjen e një tjetri gjatë një prite.

Izraeli bombardoi sot qytetin Rafah të Gazës, ndërsa vazhdonte kërkimin për ushtarin e humbur.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se të paktën 35 njerëz janë vrarë nga bombardimet në Rafah, ndërsa sulmet e reja ajrore në pika të ndryshme të Gazës shkatërruan dhjetra shtëpi. Universiteti Islamik i Gazës u godit rëndë nga sulmet izraelite.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se nuk ka dijeni se ku mund të jetë ushtari i zhdukur izraelit, por beson se ai mund të jetë vrarë gjatë një sulmi izraelit, së bashku me luftëtarët e Hamasit të cilët morën pjesë në pritën e së premtes. Hamasi tha në një deklaratë se kishte humbur lidhjet me luftëtarët e tij.

Presidenti amerikan Barak Obama, kreu i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon dhe të tjerë kanë akuzuar Hamasin për shkeljen e armëpushimit dhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të ushtarit të zhdukur. Por militantët palestinezë thonë se përplasja ka ndodhur para fillimit të armëpushimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG