Lidhje

Sekretari Hagel në Izrael


Sekretari Hagel u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pjesë e vizitës së tij treditore në atë vend

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se aleatët duhet të qëndojnë më pranë se kurrë njëri-tjetrit tani që sfidat në Lindjen e Mesme po bëhen më të ndërlikuara.

Sekretari Hagel u takua sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pjesë e vizitës së tij treditore në Izrael. Para një takimi me dyer të mbyllura me kryeministrin, zoti Hagel u tha gazetarëve se tani, më shumë se kurrë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara duhet t'i ruajnë lidhjet e tyre të ngushta.

"Këto janë kohë të vështira dhe të rrezikshme. Është koha kur miqtë dhe aleatët qëndrojnë më pranë se kurrë njëri-tjetrit. Unë jam i angazhuar për vazhdimin e këtyre marrëdhënieve dhe siç e dini, kjo është një nga arsyet që ndodhem këtu".

Zoti Netanyahu shprehu mirënjohje për mbështetjen që Izraeli ka marrë nga Shtetet e Bashkuara:

"Izraeli e vlerëson thellë mbështetjen ushtarake dhe të sigurisë që ka marrë nga Shtetet e Bashkuara. Ajo pasqyron një aleancë të thellë mes të dy vendeve tona, mbrojtjen e interesave dhe vlerave të përbashkëta që sfidohen nga armatimi i grupeve terroriste nga Irani me armë të sofistikuara dhe nga përpjekja e Iranit për t'u patur armë bërthamore.”

Irani thotë se programi i tij bërthamor është thjesht për synime paqësore.

Të hënën, zoti Hagel u takua me ministrin izraelit të mbrojtjes, Moshe Yaalon dhe e siguroi Izraelin se qeveria amerikane është e vendosur të ruajë forcën ushtarake të Izraelit. Ai njoftoi një marrëveshje për t’i dhënë Izraelit një paketë me armë strategjike.

Udhëtimi i zotit Hagel në Lindjen e Mesme përfshin ndalesa në Jordani, Egjipt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
XS
SM
MD
LG