Lidhje

Izraeli fajëson Iranin për përleshjet në kufirin me Libanin


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi Iranin për përleshjet vdekjeprurëse të së mërkurës përgjatë kufirit libanez, shkallëzimi më i madh i luftimeve, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah me mbështetjen e Iranit. Zoti Netanyanu tha sot se Izraeli do të vazhdojë të vetëmbrohet nga kërcënimet, qofshin ato nga afër, apo nga larg. Ndërkohë, Kufiri mes Izraelit dhe Libanit ishte i qetë sot, një ditë pas përleshjeve në të cilat u vranë dy ushtarë izraelitë dhe një paqeruajtës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit dënoi vrasjen e paqëruajtësit spanjoll në jug të Libanit, gjatë një shkëmbimi me artileri mes forcave izraelite dhe militantëve libanez të Hezbollahut.

Luftimet e djeshme filluan pasi grupi militant Hezbollah me bazë në Liban sulmoi me raketa një autokolonë ushtarake izraelite përgjatë kufirit mes dy vendeve. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe bombardime.

Pas një takimi me dyer të mbyllura mbi situatën në kufirin mes Libanit dhe Izraelit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi vrasjen e një paqeruajtësi spanjoll.

Ambasadori i Spanjës në OKB, Roman Oyarzun, tha se qeveria e tij ka kërkuar një hetim të plotë dhe fajësoi Izraelin për vdekjen e paqeruajtësit.

"Unë mendoj se kam bërë të qartë se kjo ndodhi për shkak të shkallëzimit të dhunës nga pala izraelite", tha ai.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun shprehu shqetësim rreth luftimeve të djeshme dhe sulmit të së martës me raketa nga Siria në afërsi të Lartësive Golan, që gjithashtu nxitën një përgjigje me sulme ajrore nga Izraeli.

Kryeministri izraelit Benjamin Natanjahu tha se autorët e sulmit vdekjeprurës me raketa ndaj ushtrisë izraelite do të “paguajnë për veprimet e tyre”. Ai tha gjatë një takimi të kabinetit qeveritar se Irani po përdor Hezbollahun për të krijuar një tjetër “front terrorist” në pjesën siriane të Lartësive Golan.

Gjendja në këtë zonë kufitare shpesh ka kaluar momente të tensionuara, duke përfshirë luftën e fundit të vitit 2006 mes Izraelit dhe Libanit, në të cilën Hezbollahu mori mbështetje nga rivalët e Izraelit, Siria dhe Irani. Militantët e Hezbollahut tani po luftojnë përkrah trupave të presidentit Bashar al-Asadit në luftën civile në Siri.

XS
SM
MD
LG