Lidhje

SHBA, mbështetje për Izraelin por bën thirrje për përmbajtje


Presidenti Barack Obama thotë se i ka thënë Kryeministrit Benjamin Netanyahu se “asnjë vend nuk duhet të pranojë që goditjen nga raketat në kufijtë e tij”, ndërsa trupat izraelite të mbështetura nga tanket, mjetet ajrore dhe anijet luftarake vazhduan të përparojnë drejt Rripit të Gazës. Sot është dita e dytë e ndërhyrjes tokësore të Izraelit në territorin palestinez.

Duke folur me gazetarët sot në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti u tha gazetarëve se e kishte bërë të qartë në një bisedë telefonike me zotin Netanyahu se mesa e kuptonte ai, operecioni nga toka do të shkatërronte tunele që ekstremistët e Hamasit po përdorin për të sulmuar Izraelin.

Ushtria izraelite tha sot në mëngjes se një ushtar ishte vrarë në operacionet gjatë natës. Kjo është viktima e parë ushtarake që nga fillimi i ofensivës tokësore. Nën-kolonel Peter Lerner është zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Objektivat ushtarake janë të dyfishta. Goditja e Hamasit si organizatë terroriste që njihet globalisht, që ata të mos kenë motivim për të vazhduar agresionin kundër Izraelit. Së dyti, goditja e infrastrukturës terroriste, raketat, tunelet dhe mekanizmat që ata përdorin për të goditur Izraelin.”

Ekipet mjekësore palestineze thonë se të paktën 12 banorë të Gazës u vranë të premten, ndërkohë që numri i të vrarëve palestinezë nga operacionet 11 ditore është mbi 260. Pjesa dërmuese e palestinezëve të vrarë janë civilë.

Ushtria izraelite thotë se 14 militantë u vranë gjatë natës dhe disa raketalëshues u shkatërruan në betejen që ka shtuar shqetësimet për deklarim lufte.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon reagoi dje ndaj operacioneve duke i kërkuar Izraelit që të bëjë më shumë për të parandaluar viktimat civile.

“Më vjen keq se pavarësisht këmbënguljes time të përsëritur dhe të udhëheqësve rajonalë dhe botërorë, ky konflikt i rrezikshëm ka shkuar edhe më tej. Gjatë 24 orëve të fundit, ka patur një numër incidentesh ku përfshihen vdekjet e civilëve, përfshi vrasjen e tmerrshme të katër djemve në bregdet në qytetin e Gazës. I kërkoj Izraelit të bëjë më shumë për të shmangur viktimat civile. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për këtë konflikt.”

Që nga java e kaluar, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj më shumë se 2 mijë objektivave në Gaza dhe Hamasi ka lëshuar më shumë se 1 mijë raketa drejt Izraelit.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara tha se inkursionet ajrore izraelite në Rripin e Gazës dhe sulmet me raketa nga Hamasi kundër Izraelit rifilluan pas një armëpushimi humanitar prej pesë orësh që skadoi të enjten.

XS
SM
MD
LG