Lidhje

Nënpresidenti amerikan fillon vizitën në Lindjen e Mesme

  • Zëri Amerikë

Nën-presidenti amerikan Xho Bajdën e filloi ditën e parë të bisedimeve në Jerusalem sot në mëngjes, duke u takuar me presidentin izraelit Shimon Peres dhe me kryeministrin Benjamin Netanjhau.

“Përparimi në Lindjen e Mesme arrihet kur çdo kush e di që nuk ekziston asnjë e çarë mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Bashkëpunimi mes dy vendeve është I palëkundur kur bëhet fjalë për sigurinë e Izraelit. Dhe për këtë arsye e shumë të tjera, çështja e programit bërthamor të Iranit ka qënë një prej përparësive të administratës Obama. Ne jemi të vendosur ta parandalojmë Iranin që të zotërojë armë bërthamore dhe po punojmë me shumë vende të botës për ta bindur Teheranin që të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare dhe të ndërpresë të gjitha këto aktivitete”.

Po sot, nën-presidenti Bajdën u takua edhe me presidentin izraelit, Shimon Peres, ku tha se ekziston një moment mundësie për bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, pasi u ra dakord për rifillimin e bisedimeve me ndërmjetësimin amerikan.

“Mendoj se jemi përpara një momenti të vërtetë mundësish dhe në se i shikojmë gjërat me qetësi, interesat e popullit palestinez e atij izraelit janë në fakt më shumë në pajtim se sa në opozitë”.

Njoftimi i djeshëm për bisedime indirekte kapërcen një ngecje 14 mujore të procesit të paqes në Lindjen e Mesme si dhe përbën arritjen e parë të ndjeshme diplomatike të Presidentit Barak Obama në rajon.

Por negociatori palestinez Saeb Erekat këmbënguli se është rënë dakord për rifillimin e bisedimeve, por më parë duhet të bihet dakord rreth strukturës së tyre.

“Ne ramë dakord të takohemi më 16 mars me zotin Mitchell për të vazhduar diskutimet rreth strukturës, konceptit dhe kornizës së negociatave. Ne ramë dakord për t’u takuar me zotin Mitchell që të negociojmë pikërisht këto çështje të pazgjidhura, para se të fillojnë bisedimet me ndërmjetësimin amerikan. Nuk e kuptoj se si një zyrtar amerikan thotë se bisedimet filluan kur ato nuk kanë filluar”.

Nën-presidenti Bajdën është zyrtari më i lartë i administratës Obama që viziton Izraelin dhe territoret palestineze.
Zoti Biden do të takohet edhe me presidentin palestinez Mahmoud Abas para se të shkojë të enjten në Jordani.

XS
SM
MD
LG