Lidhje

2014-ta dhe konflikti izraelito-palestinez


Një numër ngjarjesh në vitin 2014 shtuan tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve në nivele të papara në disa vite. Dhe viti i ri duket se do të sjellë momente më të vështira. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Bobb njofton nga Jeruzalemi.

Konfrontimet mes izraelitëve dhe palestinezëve u intensifikuan pas dështimit të përpjekjet për të ringjallur bisedimet e paqes. Dështimi i bisedimeve forcoi ekstremistët në të dyja anët, thotë profesori i Universitetit hebre Moshe Ma'oz.

"Qëndrimet ekstreme dhe militante të dy palëve po ushqejnë njëra-tjetrën, sidomos grupet e krahut të djathtë".

Përpjekja nëntë-mujore e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry për ri-fillimin e bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme dështoi në prill.

Kjo ndodhi ndërkohë që dy fraksionet kryesore palestineze, lëvizja Fatah dhe Hamasi, njoftuan krijimin e një qeverie të unitetit pas një përçarjeje shtatë-vjeçare. Izraeli tha se ky veprim dëmtoi rëndë përpjekjet diplomatike sepse Hamasi nuk pranon të njohë shtetin e Izraelit.

Dështimi i diplomacisë, së bashku me vrasjet e disa izraelitëve dhe palestinezëve të rinj, çoi në fillimin e një konflikti 50-ditorë mes Hamasit dhe Izraelit, në të cilën më shumë se dy mijë njerëz u vranë.

Konflikti, i cili përfundoi në gusht pa një armëpushim zyrtar, bëri që njerëzit të flasin për mbijetesë e jo për paqe, thotë profesori i Universitetit al-Quds në Jeruzalemin Lindor, Zakaria al-Qaq.

"Gjëja më e mirë është mos përkeqësimi i situatës së tanishme edhe pse ajo është e rëndë. Për mua kjo është shpresa më e mirë".

Vizitat e izraelitëve të krahut të djathtë në Tempullin e Lartë apo xhaminë Al-Aksa, që cilësohet si një vend i shenjtë si nga çifutët ashtu dhe nga muslimanët, ndezi një valë të re të dhunës, sulme individuale mbi izraelitët, sulme hakmarrëse ndaj myslimanëve dhe përleshje në Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

Si rezultat, ndjenjat negative janë përhapur, thotë profesori Ma'oz.

"Dëshpërimi. Ky është përfundimi i nxjerrur tani. Shpresojmë që gjërat mund të ndryshojnë. Si analist historik unë them se gjërat po lëvizin, situata mund të ndryshojë. Ka shumë faktorë që ju nuk mund t’i shihni".

Profesori i Universitit Al-Quds Zakaria Al-Qaq beson se qeveria izraelite dhe Autoriteti Palestinez do të shmangin shpërthimin e dhunës pasi ata i frikësohen humbjes së kontrollit të situatës.

"Kjo është arsyeja pse ata kanë një interes të përbashkët për të shqetësuar, zëmëruar njëri-tjetrin, por kjo nuk do ta 'asgjësojë' ose 'eliminojë' asnjërën palë".

Analistët parashikojnë më shumë trazira dhe më pak hapësirë për diplomaci ndërkohë që Izraeli përgatitet të mbajë zgjedhjet parlamentare në mars të vitit të ardhshëm dhe në Shtetet e Bashkuara, një ndërmjetësues i rëndësishëm, fillon fushata e gjatë e zgjedhjeve presidenciale.

XS
SM
MD
LG