Lidhje

Ofensiva izraelite në Gaza hyn në ditën e gjashtë


I dërguari ndërkombëtar për Lindjen e Mesme Tony Blair zhvilloi sot një takim me presidentin izraelit Shimon Perez, ndërsa vazhdon dhuna në Rripin e Gazës dhe në jug të Izraelit.

Ofensiva izraelite për të ndalur sulmet me raketa nga militantët në Gaza hyri në ditën e gjashtë dhe zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 19 persona sot. Të paktën 96 palestinezë janë vrarë, që kur Izraeli filloi fushatën e tij të mërkurën e kaluar.

Sulmet palestineze me raketa kanë vrarë të paktën tre civilë izraelitë. Një gazetar i pavarur i tha Zërit të Amerikës se qëndrimi i banorëve të Gazës është ashpërsuar pas disa ditë sulmesh. Ndërkohë ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën sot për të diskutuar mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon shkoi sot në Kairo, për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje mes palëve, për të cilën është angazhuar intensivisht Egjipti.

Sulmet palestineze me raketa kanë vrarë të paktën tre civilë izraelitë. Ndërkohë ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën sot për të diskutuar mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Tony Blair, i dërguari i Kuartetit për paqen në Lindjen e Mesme që përfshin Shtetet e Bashkuara, BE-në Rusinë dhe OKB-në, tha se shpreson se brenda pak ditësh do të arrihet një armëpushim.

“Shpresoj që në ditët e ardhshme do të arrijmë një armëpushim që të jetë i qëndrueshëm, e që do të ndalojë kërcënimin e raketave që vijnë nga Gaza, që kanë si objektiv civilët izraelitë dhe që do t’i jepte një farë qetësie njerëzve në Gaza të cilët sigurisht që kanë vuajtur".

Gjatë takimit Peres ritheksoi objektivat e Izraelit në operacion.

“Synimi ynë është i qartë. Të ndalim sulmet dhe të parandalojmë përsëritjen e tyre”.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian shprehu shqetësim sot mbi numrin në rritje të viktimave nga konflikti në Gaza, duke thënë se kriza mund të zgjidhet vetëm me një alternative afat-gjatë.

Duke folur në hapje të takimit të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes sot në Bruksel, Catherine Ashton tha se sulmet me raketa nga Gaza në drejtim të Izraelit duhet të ndalojnë.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ndalur sulmet e dhunshme me raketa që kemi parë dhe gjithashtu të sjellim një farë sigurie dhe paqe për njerëzit në atë rajon. Kjo është plotësisht në përshtatje me politikën e Bashkimit Evropian për zgjidhjen me dy shtete.”

Forcat izraelite vunë në objektiv rreth 80 qendra të militantëve, përfshirë ato për hedhjen e raketave, tunelet që përdoren për kontrabandë dhe baza stërvitore, si dhe pika komande dhe magazina armësh.

Gati 1350 objektiva në Rripin e Gazës janë sulmuar që kur filloi operacioni izraelit të mërkurën.

Megjithatë, aktiviteti ushtarak gjatë dy netëve të fundit ka rënë, ndërsa kanë filluar përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim.
XS
SM
MD
LG