Lidhje

Ushtria izraelite vret 3 palestinezë


Vala e fundit e dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve vazhdoi edhe sot, me vrasjen e tre palestinezëve në tre incidente të veçanta. Zyrtarët izraelitë thanë se palestinezët u qëlluan për vdekje, pasi u përpoqën të sulmonin izraelitët.

Sulmet e së shtunës në Hebron dhe në një postbllok policor në Jeruzalemin Lindor janë më të fundit në një seri sulmesh të palestinezëve, kryesisht therje me thika, në të cilat janë vrarë shtatë izraelitë.

Të paktën 40 palestinezë janë vrarë, kryesisht nga policia dhe ushtria izraelite, gjatë sulmeve dhe protestave.

Barak Obama, President i SHBA:

"Ne dënojmë me forcë dhunën ndaj njerëzve të pafajshëm dhe besojmë se Izraeli ka të drejtë të ruajë rendin dhe të mbrojë qytetarët e tij nga sulmet me thikë dhe dhuna në rrugë".

Presidenti Obama javën e ardhshme do të dërgojë Sekretarin e Shtetit John Kerry në Izrael, për t’u takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Ndërkohë që viktimat e trazirave po dërgoheshin në spitale, Këshilli i Sigurimit mbajti një takim urgjent të premten mbi shkallëzimin e dhunës në rajon.

Riyad Mansour, përfaqësues i palestinezëve në OKB:

"Zoti President, kemi ardhur për të kërkuar ndërhyrje urgjente për t'i dhënë fund këtij agresioni ndaj popullit tonë të pambrojtur palestinez".

David Roet, Zëvendës Ambasador i Izraelit në OKB:

"Më lejoni të jem i qartë, Izraeli nuk do të bjerë dakord për një prani ndërkombëtare në Malin e Tempullit. Ky veprim do të përbënte ndryshim të status kuosë".

Shkallëzimi i dhunës mes palestinezëve dhe hebrenjve filloi gati një muaj më parë. Përhapja e thënieve nëpër lagjet arabe se Izraeli po planifikonte të merrte nën kontroll xhaminë Al-Aksa, një vend i shenjtë i myslimanëve në Jeruzalemin Lindor, kontribuoi në rritjen e nivelit të dhunës.

Izraeli ka dislokuar trupa shtesë në rrugët e kësaj zone, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit për shkak të frikës për protesta të reja.

Më parë këtë javë, kryeministri izraelit Netanyahu tha se ai është i gatshëm të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas për t'i dhënë fund dhunës në rritje, por deri tani, nuk ka pasur asnjë njoftim për ndonjë takim mes tyre.

XS
SM
MD
LG