Lidhje

Katër të vrarë në një qendër tregtare në Tel Aviv


Dy palestinezë të armatosur hapën zjarr të mërkurën mbrëma mbi blerësit dhe darkuesit në një qendër tregtare afër ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Tel Aviv, duke vrarë katër veta dhe duke plagosur të paktën pesë të tjerë.

Policia izraelite e cilësoi incidentin si sulm terrorist. Ata thanë se situata ishte nën kontroll ndërsa kontrolluan zonën për të parë nëse ka ndonjë bombë të vendosur.

Zëdhënësi i policisë, Mickey Rosenfeld, tha se dy të armatosurit janë arrestuar, njëri prej tyre pasi që është qëlluar dhe plagosur. Ai tha se sulmuesit kishin përdorur armë automatike, ndërsa u identifikuan si dy kushërinj nga qyteti i Hebronit në Bregun Perëndimor.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, që sapo është kthyer në Izrael nga një vizitë në Moskë, tha pas një takimi me strukturat e sigurisë se ky ishte një "krim i egër."

"Ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për të goditur sulmuesit dhe për të mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje", tha ai.

Departamenti amerikan i shtetit, e dënoi me "fjalët më të fuqishme" atë që ai e cilësoi si një sulm qyqar e të tmerrshëm terrorist kundër civilëve të pafajshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e dënoi po ashtu sulmin, duke nënvizuar në një deklaratë se "është i tronditur nga fakti që udhëheqësit e Hamasit zgjodhën të mirëpresin sulmin dhe disa zgjodhën që të kremtojnë për të".

Hamasi nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, por një zyrtar u Hamasit, Mushir al-Masri, e cilësoi atë si një "operacion heroik", ndërsa grupi lëshoi më pas një deklaratë në të cilën u tërheq vërejtjen "sionistëve" për më shumë "befasi" gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sulmi i së mërkurës u krye në qendrën tregtare Sarona, në qendër të Tel Avivit, një zonë shumë e frekuentuar.

Rosenfeld tha se nuk ka pasur sulme mbi civilët izraelit apo mbi policinë në Tel Aviv për disa muaj dhe nuk ka pasur ndonjë të dhënë nga shërbimet e zbulimit se mund të ketë ndonjë planifikim për sulme terroriste.

Ai tha se policia do të përpiqet që të përcaktojë se prej nga kishin ardhur personat e armatosur dhe si kishin depërtuar në zonë. Të paktën njëri prej tyre thuhet se ishte maskuar si një hebre ultra-ortodoks.

XS
SM
MD
LG