Lidhje

Skepticizëm për turneun e Pres. Obama

  • Scott Bobb

Udhëtimi i Presidentit Barack Obama në Lindjen e Mesme këtë javë ka ngjallur interes në Izrael dhe në territoret palestineze, sepse kjo është vizita e tij e parë si President. Megjithatë nuk pritet shumë që vizita të tilla sjellin ndryshime në procesin e ngecur të paqes në Lindjen e Mesme, që është një burim pakënaqësie për të dy popujt.

Në Jeruzalemin Lindor arab, Mohamed Abu Ghadan administron një zonë parkimi, pronë e familjes së tij prej 70 vjetësh. Ai është në pritje të vizitës së Presidentit Obama, por si shumë njerëz këtu ai thotë se nuk shpreson për ndonjë ndryshim në bisedimet e ngecura të paqes.

“Për mendimin tim është një humbje kohe. Kjo vizitë nuk sjell përfitime për kauzën palestineze, por për vëllezërit tanë izraelitë”.

Zoti Obama do të takohet me udhëheqës politikë në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. Por fotografi Mahfouz Abu Turk thotë se palestinezët mendojnë se qeveria amerikane ka favorizuar kaq shumë Izraelin sa që nuk mund të luajë më rol ndërmjetës.

“Nuk mendoj se vizita e zotit Obama do të sjellë ndonjë rezultat për popullin palestinez sepse deri tani ai ka treguar se nuk ka vullnetin politik për të bërë ndryshime dramatike në rajon.... Ne nuk jemi në rendin politik të ditës së zotit Obama të paktën për momentin”.

Palestinezët po ngrenë pyetjen nëse një zgjidhje me dy shtete e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është ende e mundur, pra që palestinezët dhe izraelitët të jetojnë në paqe krah njeri tjetrit. Mahdi Abdul Hadi kryeson një grup kërkimor palestinez në Jeruzalemin Lindor.

“Nëse mund t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, zoti Obama, natyrisht ne kemi shumë nevojë për ju. Natyrisht që ndikimi juaj është shumë i rëndësishëm dhe le të kërkojmë hapa praktikë për të arritur këtë objektiv. Nëse jo, atëhere duhet të jemi krijues dhe të mendojmë ndryshe”.

Një kilometër larg në Jeruzalemin Perëndimor hebre, izraelitët shprehin të njëjtin zhgënjim. Ja si shprehet shtëpijakia Jacqueline Dewek:

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh sepse ky rajon është shumë i komplikuar dhe me shumë probleme”.

Tensionet lidhur me programin bërthamor të Iranit, problemet politike në vendet arabe dhe lufta civile në Siri do të jenë pjesë e udhëtimit të zotit Obama në Lindjen e Mesme, thotë analisti izraelit, Danny Rubinstein. Por përqëndrimi për 3 ditë i presidentit Obama në Izrael dhe në territoret palestineze tregon se ai synon të angazhohet në procesin e paqes.

“Shpresoj që ai të bisedojë me ne dhe me palestinezët rreth mënyrave të ripërtëritjes së procesit të paqes. Ne nuk kemi nevojë thjeshtë për ripërtëritjen e procesit të paqes, por kemi nevojë që ky proces të zgjidhë problemet ekzistuese”.

Daniel Madmon është dakord me këtë mendim. Kohët e fundit ai përfundoi shërbimin e detyruar në ushtrinë izraelite.

“Mendoj se Obama do ta gjejë Izraelin shumë më të përgatitur për paqe se sa i mendon”.

Mesazhi i tij për presidentin amerikan: na sill paqe.

XS
SM
MD
LG