Lidhje

Shpërthim në Stamboll, të paktën 10 vrarë


Sulmi u krye nga një anëtar i Grupit Shteti Islamik. 9 prej viktimave ishin turistë gjermanë.

Një autor sulmi vetëvrasës, anëtar i Grupit Shteti Islamik hodhi veten në erë të martën, në lagjen historike Sulltanahmet, një zonë e rëndësishme turistike, e njohur për objekte të tilla si Xhamia Blu dhe Shën Sofia, në qendër të njërit prej qyteteve më të vizituar të botës.

Shpërthimi shkaktoi të paktën 10 të vdekur, 9 prej tyre turistë gjermanë dhe 15 të plagosur. Zyrtarë të lartë turq thanë se dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike. Zoti Erdogan e dënoi sulmin në një fjalim televiziv.

Dëshmitarët thanë se shpërthimi ishte i zhurmshëm dhe tronditja u ndje mjaft.

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu thirri një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, me Ministrin e Brendshëm dhe me zyrtarë të tjerë, për të vlerësuar situatën.

Ai tha pas takimit se autori i sulmit ishte anëtar i ISIS-it dhe u zotua për ta luftuar grupin militant, deri sa të mos përbëjë më kërcënim për Turqinë dhe për botën.

Presidenti Tayyip Erdogan e dënoi shpërthimin:

"Unë e dënoj fuqishëm incidentin terrorist në Lagjen Sulltanahmet të Stambollit, që vlerësohet të jetë bërë nga një vetëvrasës me origjinë siriane," tha zoti Erdogan në një drekë për ambasadorët turq në Ankara, fjalim që u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve tha se kryeministri Davutoglu foli në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel, për t’i shprehur ngushëllime për humbjen e jetës të shtetasve gjermanë.

Në një konferencë shtypi në Berlin, zonja Merkel e dënoi sulmin, duke thënë se “terrorizmi ndërkombëtar është duke e treguar përsëri fytyrën e vet mizore dhe çnjerëzore.”

Turqia vazhdon të jetë në gatishmëri pas dy shpërthimeve vetvrasëse në muajin tetor, ku më shumë se 100 njerëz humbën jetën gjatë tubimit të veprimtarëve të paqes pranë një stacioni treni në kryeqytetin Ankara.

Qeveria anuloi festimet e Vitit të Ri në Ankara, pas arrestimit të dy anëtarëve të ISIS-it, të dyshuar se po planifikonin sulme vetëvrasëse.

Avionët luftarakë turq po marrin pjesë në fushatën ajrore të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që kanë në shënjestër militantët e Shtetit Islamik në Siri.

XS
SM
MD
LG