Lidhje

Shpërthim në Stamboll, vriten 11 persona


Njëmbëdhjetë persona, përfshirë shtatë policë u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën, si pasojë e një shpërthimi në qendër të Stambollit gjatë orëve të ngarkuara me trafik të mëngjesit. Presidenti turk Tajip Erdogan tha se vendi i tij ishte goditur nga një sulm terrorist dhe se lufta e Turqisë kundër terrorizmit do të vazhdojë.

Një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu kur pranë saj po kalonte një autobus. Sipas njoftimeve të konfirmuara nga guvernatori i Stambollit, në autobus ndodheshin policë të njësive të posaçme.

Menjëherë pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes u dërguan ambulanca. Ngjarja ndodhi në lagjen qendrore Vezne-çiler, pranë Universitetit të Stambollit, një qendër e njohur turistike që përfshin sheshin Bayazit, ku është edhe zyra e Kryetarit të Bashkisë.

Presidenti Rejep Tajip Erdogan tha se lufta e Turqisë kundër terroristëve do të vazhdojë “deri në fund”:

“Ky sulm terrorist u krye kundër njerëzve që përgjigjen për sigurinë tonë. Kjo është e pafalshme. Prandaj ne do ta vazhdojmë luftën kundër këtyre terroristëve deri në fund, pa u frikësuar dhe pa u lodhur.”

Presidenti turk i cilësoi martirë viktimat e shpërthimit:

“Na dhemb zemra për këta martirë. Por gjithshka duket se vjen me një çmim. Lufta jonë do të vazhdojë deri në fund. Lufta kundër terrorizmit nuk përfundon kurrë. E rëndësishme është që këto sulme të pakësohen sa mundet. Forcat tona ushtarake dhe ato policore, së bashku me rojet e fshatrave janë duke luftuar bashkarisht dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.”

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse grupi Shteti Islamik ka kryer kohët e fundit disa sulme në Turqi. Po ashtu, Partia Punëtore e Kurdistanit, PKK, e ka vënë në shënjestër policinë dhe ushtrinë turke që nga korriku i kaluar, ndërsa lufton për autonomi në juglindje të Turqisë.

Zoti Erdogan tha se policia dhe forcat turke të zbulimit janë duke bashkëpunuar për hetimet që janë duke u zhvilluar për sulmin.

XS
SM
MD
LG