Lidhje

Itali, emigrantët nga Afrika vërshojnë drejt Lampeduzës


Itali, emigrantët nga Afrika vërshojnë drejt Lampeduzës
Itali, emigrantët nga Afrika vërshojnë drejt Lampeduzës

Më tepër se 30,000 emigrantë kanë arritur këtë vit nga Afrika veriore në ishullin e vogël italian të Lampeduzës. Shumica e tyre largohen nga brigjet e Tunizisë dhe të Libisë me anije të vjetra peshkimi. Mijra njerëz kanë gjetur vdekjen në det gjatë udhëtimit. Megjithë rreziqet, vazhdimi i luftimeve në Libi po detyron gjithnjë e më tepër njerëz të nisen me anë të detit drejt brigjeve evropiane.

Ndërsa anija përplaset në bregun plot shkëmbenj të Lampeduzës, emigrantët detyrohen të hidhen në ujin e ftohtë për të shpëtuar. Ekipet italiane të shpëtimit, së bashku me peshkatarët vendas, formojnë një zinxhir njerëzor për t’i nxjerrë të ardhurit në breg.

Mes imigrantëve ka gra shtatzana, madje edhe bebe, të cilat u hidhen rojeve bregdetare që presin mes dallgëve.

Ditën tjetër, korrespondenti i Zërit të Amerikës bisedon me disa nga imigrantët që mbahen në një qendër të përkohshme aty pranë. Peter Drry është nga Gana dhe punonte në Libi.

“Ne ishim gjithsej 600 vetë në anije. Kur na u prish busulla, ne nuk dinim më ku po shkonim dhe humbëm kontrollin. Për fat të mirë u shpëtuam nga marina italiane. Anija jonë u përplas me një shkëmb dhe ne ramë në det. Unë nuk di not por u përpoqa sa munda.”

Emigrantët tregojnë se përse e ndërmorën një udhëtim kaq të rrezikshëm nga kryeqytetin libian, Tripoli.

“Mund të pyesni edhe vëllanë tim. Ata na sulmuan shtëpinë dhe e rrahën atë ku mundën. Atij i ra të fikët dhe ne e çuam në spital. Qëndroi në spital 2 muaj, pastaj ne enxorrëm prej andej dhe erdhëm këtu."

Guy Picanor është nga Burkina Faso.

“Libia është një tmerr. Nuk ka siguri, është aq keq saqë u detyruam të largoheshim”, thotë ai

Kur anija po i afrohej Lampeduzës, timoni u thye dhe ajo nisi të përplasej me shkëmbenjtë. Njerëzit u detyruan të hidheshin në det në terrin e natës.

Shumë nga sendet e tyre personale i shikon të shpërndara nëpër shkëmbenj. Shikon ilaçe, një kopje të Kuranit, madje edhe pasaportën e një shtetasi nga Nigeri. Autoritetet italiane thonë se emigrantët i hedhin vetë dokumentet sepse duan të marrin strehim politik në Evropë dhe mund ta marrin atë nëse janë nga zona konflikti si Bregu i Fildishtë.

Lampeduza ndodhet vetëm 200 kilometra nga bregu tunizian. Këtë vit, këtu kanë arritur më tepër se 30 mijë emigrantë. Anijet e tyre ndodhen të ankoruara në mol, shumë prej tyre janë gati duke u mbytur dhe po bllokojnë portin.

Të tjerat ndodhen grumbull në tokë.

Në fillim, shumica e emigrantëve ishin tunizianë që shfrytëzonin mungesën e patrullave detare. Ata erdhën pas trazirave në Tunizi për të filluar një jetë të re në Evropë.

Gjatë muajit të fundit, shumica kanë qenë afrikanë që punonin në Libi, shumica nga vendet nënsahariane, por ka edhe nga Pakistani dhe Bangladeshi.

Këto pamje që janë marrë nga një avion ushtarak italian tregojnë anijet në det duke udhëtuar drejt Lampeduzës. Javën e kaluar, brenda një dite këtu arritën tetë anije.

Rritja e numrit të imigrantëve e ka detyruar agjencinë e Bashkimit Evropian për kufijtë, Frontex, të shtojë numrin e anijeve të shpëtimit dhe të avionëve që diktojnë anijet me emigrantë në det.

Antonio Morana, komandant i rojes bregdetare të Lampeduzës, thotë se që nga muaji shkurt janë ndërmarrë më tepër se 300 operacione shpëtimi.

“Këto operacione janë të rrezikshme dhe shumë të ndërlikuara. Anijet janë 20-25 metra të gjata. Normalisht duhet të kenë nga 50 veta brenda por tani kanë deri në 800. Prandaj, udhëtimi i tyre është jashtëzakonisht i rrezikshëm sidomos kur kushtet e motit nuk janë të mira.

Dy ditë pasi anija me emigrantë u përplas nëpër shkëmbenj, polombarët gjetën tre trupa njerëzish nën anije.

Në terrin e natës askush nuk i kishte parë të mbyteshin.

Megjithë rreziqet e rrugës, autoritetet italiane po përgatiten të presin shumë më tepër imigrantë të arrijnë në Lampeduza gjatë muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG