Lidhje

Në pikëpyetje koalicioni qeverisës i Italisë


Ministrat e qendrës së djathtë në qeverinë italiane kanë njoftuar se kanë në plan të japin dorëheqjen, një hap që mund të sjellë rrëzimin e koalicionit të gjerë të qeverisë së kryeministrit Enrico Letta.

Zëvendës kryeministri dhe Ministër i Brendshëm Angelino Alfano njoftoi dje se të pesë ministrat e Partisë Populli i Lirisë do të jepnin dorëheqjen, pa dhënë hollësi për kohën. Kryetari i partisë, ish-kryeministri Silvio Berlusconi u bëri thirrje ministrave të japin dorëheqjen duke përmendur masat qeveritare për të rritur TVSH-në dhe vendimin e zotit Letta për të shtyrë marrjen e masave qeveritare deri kur të ketë mbështetjen e plotë të parlamentit.

Koalicioni qeverisës i Italisë është një aleancë e lëkundur me forca të qendrës së djathtë dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë. Tensionet mes besnikëve të Berluskonit dhe kundërshtarëve të tij kanë zier që kur gjykata e lartë e Italisë mbajti në fuqi vendimin për të shpallur fajtor zotin Berluskoni nën akuzat për evazion fiskal. Silvio Berluskoni mund edhe të përjashtohet nga Senati.

Dorëheqjet duhet t’i paraqiten zyrtarisht Presidentit Giorgio Napolitano, i cili më pas duhet të vendosë nëse qeveria mund të vazhdojë të funksionojë apo nëse duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohëshme.
XS
SM
MD
LG