Lidhje

Itali, Mario Monti fillon punën për krijimin e kabinetit

  • Ilir Ikonomi

Itali, Mario Monti fillon punën për krijimin e kabinetit

Itali, Mario Monti fillon punën për krijimin e kabinetit

Në Itali, i ngarkuari për formimin e qeverisë së re, Mario Monti, ka filluar punën për krijimin e kabinetit, i cili do të synojë zbatimin e reformave ekonomike strukturore që do ta shpëtonin vendin nga rrënimi financiar.

Zoti Monti filloi procesin e krijimin e një qeverie pa politikanë por me ekspertë ekonomikë, synimi i të cilëve do të ishte ulja e borxhit në rritje të vendit.

Dje, duke emëruar zotin Monti, Presidenti Giorgio Napolitano theksoi se nevojiteshin veprime vendimtare dhe vuri në dukje se deri në fund të prillit, Italisë i duhet të pagujë një këst borxhi prej 200 miliard euro.

Shenja e parë e ndikimit të zotit Monti ishte se Italia arriti sot të sigurojë nga tregjet 3 miliard euro, ndonëse me një kosto më të lartë.

Investitorët kërkuan sot një normë interesi prej 6.29 përqind, niveli më i lartë që nga viti e 1997, krahasuar me 5.32 përqind para një muaji.

Profesori 68-vjeçar i ekonomisë nuk është njeri që thyhet lehtë. Ai fitoi emër për aftësitë në përballimin e sfidave të vështira kur ishte komisioner për konkurrencën në Bashkimin Evropian.

Por atij do t’i duhet të marrë votëvesimin e parlamentit para se të bëhet kryeministër.

Zoti Monti përballet me një sfidë të madhe – të shmangë mospagimin e këstit të borxhit nga Italia çka mund ta dëmtonte rëndë eurozonën dhe të shkaktonte recesion të ri në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Problemi për ekonominë italiane janë kostoja e lartë e pagave, produktiviteti i ulët, taksat e tepruara, burokracia mbytëse dhe sistemi arsimor relativisht i dobët krahasuar me vendet e tjera të pasura.

Veç kësaj, ekonomia italiane, e treta më e madhe në eurozonë, shihet si tepër e madhe për t’u shpëtuar si Greqia, Portugalia dhe Irlanda.

Qeverisë së re italiane do t’i duhet të bëjë reforma edhe më të dhimbshme për të zgjidhur problemin e borxhit prej 1.9 trilionë euro, rreth 120 për qind të prodhimit ekonomik të vendit.
Dhe shumë nga këstet e borxhit do të duhet të paguhen shpejt. Vetëm për vitin tjetër, Italisë do t’i duhet të paguajë më shumë se 300 miliard euro nga borxhi i saj.

XS
SM
MD
LG