Lidhje

Italia shpëton rreth 100 emigrantë


Gati 100 emigrantë nga Somalia, Egjipti dhe Sudani janë grupi i fundit i shpëtuar në det nga ekipet italiane të shpëtimit ndërsa po përpiqeshin të arrinin në Evropë.

Autoritetet thonë se emigrantët, duke përfshirë edhe rreth 10 të mitur të pashoqëruar, arritën mbrëmë në një port italian në ishullin e Siçilisë.

"Ata thanë se ishte shumë e vështirë dhe kaluan rreth 12 ditë në det. Në dy nga këto ditë, anija e tyre u ndal dhe nuk punonte, atyre u mbaroi uji dhe ishin të detyruar të pinin ujë të kripur. Pra ata nuk kishin ujë dhe ishin të ngujuar për dy ditë derisa anija filloi të punonte".

Vala e fundit e emigrantëve që rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropë ka nxitur një debat mbi mënyrën se si mund të parandalohet ky eksod.

Presidenti i Francës, Francois Hollande ka thënë se ai dëshiron një rezolutë të OKB-së që autorizon BE-në të shkatërrojë anijet e përdorura nga kontrabandistët që transportojnë ilegalisht mijëra emigrantë nga Afrika e Veriut në Evropë.

Por presidenti i Kryqit të Kuq Italian, Francesco Rocca paralajmëroi se sugjerimi për bombardimin e anijeve të trafikantëve para se ato të mbushen me emigrantë nuk është zgjidhje.​

"Për ne bombardimi i anijeve nuk është zgjidhje. Kjo duhet të jetë shumë e qartë, sepse trafikantët do të gjejnë rrugë të tjera. Ne nuk mund të harrojmë se rrugët e tjera nga Turqia dhe nga Deti Egje tashmë po përdoren. Madje disa prej tyre janë përpjekur të arrijnë në ishujt grekë me not".

Zoti Rocca thotë se situata e tanishme e migrimit nuk është një krizë, por vazhdim i mosreagimit të qeverive ndaj një dileme dhjetëra vjeçare.

Duke mos patur një plan të menjëhershëm për parandalimin e valës së emigrantëve, BE-ja ka vendosur të trefishojë operacionet e kërkim- shpëtimit, pas kritikave që mori mbi reagimin ndaj krizës së emigrantëve.

Premtimi erdhi ndërkohë që në Itali vazhdojnë të mbërrijnë emigrantë të tjerë të shpëtuar në det. Para disa ditësh 900 emigrantë u mbytën kur anija e tyre u përmbys në brigjet e Libisë.

XS
SM
MD
LG