Lidhje

Itali: Papunësi rekord mes të rinjve


Një nga vendet e Eurozonës që po vuan pasojat më të rënda të papunësisë, është Italia ku një në çdo tre të rinj janë të papunë, sipas statistikave të fundit. Ndërsa shifra e përgjithshme e papunësisë në Itali mbeti në një nivel rekord në nëntor, papunësia mes të rinjve arriti një rekord të ri mbi 37 për qind, sipas shifrave të sotme, duke u dhënë një argument më shumë kritikëve të kryeministrit Mario Monti para zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt.

Vështirësitë e të papunëve dhe veçanërisht të të rinjve, janë një çështje delikate para zgjedhjeve dhe zoti Monti, që drejton një koalicion të qëndrës akuzohet nga kundërshtarët e majtë dhe të djathtë se po dëmton ekonominë me përpjekjet e tij për të mëkëmbur financat publike.

Në një proces përzgjedhjeje në Romë, në fund të dhjetorit, qindra-mijëra vetë shpresonin të merrnin pjesë në një provim për 11 mijë vende pune në kopshte fëmijësh në rajonin e Lazios.

Duke pritur në radhë, shumë vetë thanë se pothuajse i kishin humbur shpresat për punë.

“Nuk kam absolutisht aspak besim tek vendi im. Nuk ka asnjë rrugëdalje. Ose duhet të ikësh, ose nëse rri këtu, je i dënuar. Nuk ka alternativa, edhe nëse do të bësh diçka për vete, nuk ke mundësi. Është një vend për të moshuarit. Duhet të ikim dhe t’ia lëmë vendin pensionistëve”, thotë Rosaria Resciniti.

Papunësia e të rinjve në Itali është sa trefishi i përqindjes kombëtare dhe kompanitë zakonisht u orftojnë të rinjve vetëm kontrata të përkohëshme me sigurime shoqërore të kufizuara, çka do të thotë që shumë prej tyre jetojnë me prindërit ose ikin jashtë vendit.

27 vjeçarja Aurora Boison sapo është kthyer nga jashtë dhe nëse nuk gjen punë do të jetojë me prindërit.

“Sapo kam dalë në shtëpi më vete dhe shpresoj të arrij t’i paguaj faturat”.

Ulja e papunësisë do të jetë një nga çështjet kryesore për kryeministrin që do të marrë detyrën pas zgjedhjeve të 24-25 shkurtit.

Presidenti i Institutit Kombëtar të Statistikave Enrico Giovanni është i bindur se rritja e papunësisë mes të rinjve i atribuohet pjesërisht faktit se Italianët e kanë kuptuar se kriza ekonomike nuk do të zhduket shpejt.

“Prandaj nuk ka arsye të presësh për përmirësimin e gjendjes në javët dhe muajt e ardhshëm. Mendoj se kjo shpjegon se pse disa njerëz po shohin në mënyrë më aktive për punë, ndërsa më parë nuk ishin aktivë”.

Në një nga agjencitë e punësimit në Romë, shumë njerëz që kërkonin punë thanë se kishin humbur kontratat e përkohëshme.

“Unë kam vetëm shkollë të mesme. Do të pranoja çdo gjë. Të presim”.

Analistët thonë se rritja e vështirësive financiare në familje po i detyron gjithashtu të rinjtë të kërkojnë punë në vend që të shkojnë në universitet, pasi u duhet të shtojnë të ardhurat. Italia ka një nga nivelet më të ulëta të punësimit në botën e industrializuar, veçanërisht mes grave, të rinjve dhe të moshuarve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG