Lidhje

Italia miraton shkurtime të ndjeshme buxhetore në përgjigje të problemit të borxhit

  • Zëri Amerikës

Italia miraton shkurtime të ndjeshme buxhetore në përgjigje të problemit të borxhit

Italia po përpiqet t’i shpëtojë fatit të Greqisë, Irlandës e Portugalisë, duke miratuar shkurtime të ndjeshme buxhetore në përgjigje të problemit të borxhit. Evropa ka sinjalizuar se një falimentim financiar i Italisë do të ishte kërcënim madhor për organizatën, pasi ky vend ka ekonominë numër 3 në Bashkim. Parlamenti shpejtoi të miratonte masat shtrënguese të parashtruara nga kryeministri Berluskoni, ndërkohë që popullata ka reaguar me protesta ndaj këtyre planeve:

Disa qindra punonjës të sektorit publik dhe sektoreve të tjera u mblodhën para selisë së parlamentit në Romë ndërkohë që Dhoma e Ulët e parlamentit po diskutonte një paketë me shkurtime buxhetore me vlerë 99 miliardë dollarë.

Diskutimi i parapriu hedhjes në votë të këtyre masave të domosdoshme për të parandaluar një krizë buxhetore në ekonominë numër tre të Evropës.

Kryeministri Silvio Berluskoni i kishte futur masat e propozuara në procesin e përshpejtuar të miratimit, pas rënies së tregjeve si rezultat i shqetësimeve për stabilitetin financiar të Italisë.

Paketa e shkurtimeve u miratua dje në Senat, ku gjeti mbështetje nga deputetët si e domosdoshme për të mbrojtur vendin nga kriza. Paolo Bareta është deputet i Partisë Demokrate:

“Duhet të vepronim. Ekspozimi i vendit tonë ndaj tregjeve ndërkombëtare ka paraqitur rrezik prej kohësh, por ajo që pamë javën e kaluar dhe në fillim të kësaj jave ishte vërtetë një rënie e madhe dhe e rrezikshme”.

Por masat janë pritur me protesta nga segmentë të ndryshme të popullatës. Luçia Lombardo është drejtuese sindikaliste:

“Ligji i buxhetit godet ata që paguajnë taksa dhe në Itali 80 për qind e taksave paguhen nga punëtorët dhe pensionistët. Pikërisht këto sektorë do të goditen nga rritjet e taksave, ndërkohë që rritja e TVSH-së do të ndikojë tek çmimet e makaronave, bukës, pra do të ulet fuqia blerëse”.

Shqetësimet për stabilitetin e tregjeve u shtuan këtë javë. Investitorët tremben se një skenar i ngjashëm me Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë mund të kapë edhe Italinë, e cila karakterizohet nga borxhe të larta dhe rritje e ulët ekonomike.

XS
SM
MD
LG