Lidhje

Itali, shqetësime për rrjedhje karburanti nga anija e përmbysur

  • Zëri Amerikës

Itali, shqetësime për rrjedhje karburanti nga anija e përmbysur

Itali, shqetësime për rrjedhje karburanti nga anija e përmbysur

Ekipet e shpëtimit intensifikuan kërkimet për 29 persona që rezultojnë të zhdukur nga përmbysja e anijes që ra në cektinë pranë ishullit italian Xhilio. Ndërkohë, po shtohen shqetësimet për një krizë të mundshme mjedisore nga nafta që mund të fillojë të rrjedhë nga anija e përmbysur.

Ekspertët thonë se mund të duhen dy deri në katër javë për të hequr karburantin nga anija e pëmbysur, për të mos lejuar derdhjen e saj pranë ishullit Giglio, pjesë e një rezervati delfinësh, breshkash dhe balenash.

Në anijen Costa Concordia, e cila ra në cektinë të premten, ka me qindra tonelata naftë.

Organizatat e mjedisit thonë se fjala është për një garë me kohën për të mos lejuar rrjedhjen e karburantit. Ata paralajmërojnë se edhe një derdhje e vogël mund të ketë efekte katastrofike.

"Në qoftë se karburantit fillon të rrjedhë, ne kemi mësuar nga përvoja se edhe pak naftë e rrjedhur është jashtëzakonisht vështirë të kontrollohet”, tha zëdhënësi i Fondacionit World Wildlife për Italinë, Gaetano Benedetto.

Polombarët italianë hapën vrima në trupin e anijes për të hyrë brenda në kërkim të personave që mund të kenë mbijetuar.

Një zyrtar tha se kishte ende një farë shprese se në disa pjesë të anijes ku nuk janë bërë kërkime, mund të kenë mbetur njerëz të gjallë.

Të dielën u shpëtua një anëtar i ekuipazhit, i cili u gjet me këmbë të thyer.

Firma SMIT nga Rotterdami i Hollandës, që po merret me heqjen e karburantit, tha sot se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin përparësia kryesore dhe se, para se të fillojë punën, duhet bërë një vëzhgim i hollësishëm i anijes 290 metra të gjatë.

Megjithatë, zyrtarët thonë se dy operacionet mund të bëhen njëkohësisht dhe operacioni për heqjen e naftës mund të fillojë që nesër në qoftë se miratohet nga zyrtarët italianë.

Deri tani nuk ka patur njoftime për rrjedhje karburanti por deti i trazuar bëri që dje anija të lëvizte paksa nga pozicioni i mëparshëm, duke shtuar shqetësimet për një rrjedhje të mundshme të naftës në det.

XS
SM
MD
LG