Lidhje

Itali: Renzi premton rindërtimin e rajoneve të goditura nga tërmeti


Kryeministri italian Matteo Renzi premtoi rindërtimin e rajonit të Italisë qendrore, që dje u godit nga një tërmet me magnitudë 6.6, tërmeti më i fuqishëm në Itali në 36 vjet. Në gusht të këtij viti ky rajon u godit nga një tërmet tjetër, në të cilin 300 njerëz humbën jetën.

Tërmeti shkaktoi plagosjen e të paktën 20 njerëzve dhe dëme të mëdha materiale.

"Ne do të rindërtojmë të gjitha shtëpitë, kishat dhe dyqanet. Në po flasim për një rajon të bukur, për një territor, bukuria e të cilit është një pikë themelore e identitetit tonë territorial," tha kryeministri italian, Matteo Renzi

Shërbimi Gjeologjik Kombëtar i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit të djeshëm ishte në afërsi të qytetit Norcia, në një thellësi prej 10 kilometrash, dhe u ndje deri në Romë, 90 kilometra në jug.

Rrëshqitjet e dheut ka bllokuar disa autostrada, duke ndërprerë trafikun rrugor mes disa fshatrave dhe pjesës tjetër të vendit.

Dëshmitarët thonë se një numër i ndërtesave historike u shkatërruan, duke përfshirë bazilikën e shekullit të 14-të të Shën Benediktit në Norcia.

Askush nuk ka humbur jetën nga tërmeti.

Shumë njerëz ishin larguar nga zona pas tërmetit të muajit gusht në të cilin humbën jetën rreth 300 persona. Edhe të mërkuren e kaluar pati tronditje të forta në këtë rajon.

Në faqen e internetit të komunës së Romës njoftohet se shkollat në qytet sot janë mbyllur për t’i dhënë mundësi autoriteteve që të inspektojnë dëmet strukturore të ndërtesave.

XS
SM
MD
LG