Lidhje

Italia pa fitues të qartë në zgjedhje


Pas dy ditë votimesh, zgjedhjet e përgjithshme italiane nuk duket të kenë një fitues të qartë. Kampi i qendrës së majtë i Pier Luigi Bersanit fitoi 29,55 për qind të votave, kundrejt 29,17 për qind të fituara nga ish-kryeministri Silvio Berluskoni. Ish-humoristi Beppe Grillo dhe grupi i tij politik arritën një rezultat mjaft të mirë duke siguruar mbështetjen e gjerë të votuesve të pakënaqur me klasën politike në pushtet. Lëvizja e tij me Pesë Yje mori 25,54 për qind të votave, ndërsa aleanca e kryeministrit në detyrë Mario Monti fitoi 10,56 për qind.

Pasiguria politike në Itali duket të jetë një sinjal mjaft negativ lidhur me përpjekjet e vendit për të miratuar reformat e rëndësishme që nevojiten për të kaluar krizën ekonomike të vendit dhe për të parandaluar fillimin e një krize të re globale financiare.

James Walston është një profesor i Shkencave Politike në Universitetin Amerikan në Uashington.

"Nuk ka një qeveri të qartë që mund të zgjidhet. Parashikimet ishin të gabuara dhe fituesit e vërtetë ishin Beppe Grillo dhe Silvio Berluskoni."

Votuesit e pakënaqur nga politika konvencionale i dhanë një mbështetje të fortë në nivele të paparashikuara Lëvizjes me Pesë Yje të udhëhequr nga humoristi i shndërruar në politikan Beppe Grillo.

"Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të bëjnë anëtarët e të sapozgjedhurës Lëvizje me Pesë Yje. Jo vetëm sepse ajo përbëhet kryesisht nga të rinj, por edhe për shkak se ata janë njerëz që nuk kanë përvojë të mëparshme politike. Parlamenti për ta do të jetë një fazë krejtësisht e re."

Koalicionet duhet të zotërojnë 160 vende në senat për të patur një shumicë funksionale dhe zoti Berluskoni nuk do të mund të arrijë të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për t'u bërë kryeministër për herë të katërt.

Ngërçi që i kanoset ekonomisë së tretë më të madhe të Bashkimit Evropian ka tronditur tregjet botërore.

Rezultati me fitues të paqartë i zgjedhjeve ngre mundësinë e zgjedhjeve të reja në muajt e ardhshëm dhe do të vështirësojë miratimin e reformave të nevojshme për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

XS
SM
MD
LG