Lidhje

Italia konverton borxhet shqiptare në fond zhvillimi


Italia konverton borxhet shqiptare në fond zhvillimi
Italia konverton borxhet shqiptare në fond zhvillimi
Shqipëria dhe Italia nënshkruan sot një marrëveshje që disa kredi italiane prej 20 milionë euro të mos kthehen në Romë por të riinvestohen nga vetë Tirana në projekte arsimore dhe shëndetësore për shtresat e varfra shqiptare. Marrëveshja që u nënshkrua nga ministri i financave Ridvan Bode dhe ambasadori italian Saba D’Elia, parashikon që kreditë italiane megjithë interesa të derdhen në një llogari të veçantë, e administruar nga një këshill dypalësh, e cila të financojë zhvillimin social të Shqipërisë në punësim, shkolla dhe spitale.
Shqipëria do të derdhë 11 këste në këtë llogari dy herë në vit dhe do t’i përdorë po vetë për të mbështetur shtresat më të varfra dhe sektorët socialë me më shumë nevoja për investim. Ambasadori italian Sabah D’Elia tha se kjo është marrëveshje për konvertimin e borxheve në projekte zhvillimi është një tjetër shenjë e miqësisë së hershme mes dy popujve dhe mbështetjes konkrete që Italia jep për tejkalimin e varfërisë në Shqipëri.

“Kjo nismë për konvertimin e borxheve përfshin dhe shkon në favor të atyre shtresave sociale që kanë më shumë nevoja. Fondi i ri që do të mbushet nga Shqipëria, do të menaxhohet nga një këshill italo-shqiptar, i cili do të evidentojë sektorët me më shumë probleme ku edhe do të përdoren paratë e kësaj llogarie. Kjo është një ndërhyrje financiare shumë domethënëse” - tha ai.
Këstet që do të paguajë Shqipëria dy herë në vit do të jenë nga gjysmë milioni deri në 2 milionë euro secili, dhe do t’i përdorë po vetë për shëndetësinë dhe arsimin. Kjo është hera e parë që Shqipëria nënshkruan një marrëveshje kaq të favorshme për konvertim borxhesh në projekte zhvilluese.

Po sot qeveria shqiptare përshëndeti forcat opozitare të Libisë, që siç tha kryeministri Sali Berisha, me sakrificat e tyre i dhanë fund regjimit diktatorial 42 vjecar të kolonelit diktator, Muhamer Gedafi. Pas diskutimit në detaje të zhvillimeve në Tripoli dhe gadishmërisë për t’u bërë pjesë e operacioneve humanitare në ndihmë të civilëve, qeveria vendosi, në kapitullin për ekonominë shqiptare, që të japë me koncension shërbimin e kontrollit të cilësisë së naftës në tregjet vendase.
“Me këtë vendim ne synojmë të kontraktojmë një kompani të huaj, e cila do të merret me shenjimin e naftës që do të futet në treg. Kjo bën të mundur plotësisht zbulimin e çdo lloj fluksi kondrabandist dhe jashtë cilësive në tregun shqiptar” - tha zoti Berisha.

Pas këtij kontrolli qeveria beson se do të mund të tregtohet vetëm nafta e standarteve të parashikuara, gjë që do të ndikojë në mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit publik, dhe do të shmangë kondrabandën. Disa muaj më parë një duzinë doganierësh, tatimorësh, kufitarësh, tregtarësh dhe shoferë kamionash u arrestuan pas dyshimeve se ata po tregtonin prej një kohe të gjatë kondrabandë naftën “Virgin”, të një cilësie të dobët dhe me shkarkime të rënda ndotjesh në mjedis dhe dëme të konsiderueshme në motorët e automjeteve.

XS
SM
MD
LG