Lidhje

Italia në grevë ndërkohë që parlamenti nis debatin mbi kursimet

  • Zëri Amerikës

Italia në grevë ndërkohë që parlamenti nis debatin mbi kursimet

Italia në grevë ndërkohë që parlamenti nis debatin mbi kursimet

Miliona punëtorë në të gjithë Italinë lanë sot punën për të protestuar kundër paketës së masave shtrënguese qeveritare. Greva e përgjithshme tetë-orëshe, e thirrur nga sindikata më e madhe e Italisë, CGIL (çi-xhi-el), ka shkaktuar çrregullime dhe ndërprerje të transportit e të prodhimit në të gjithë vendin.

Greva zhvillohet ndërkohë që parlamenti italian fillon debatin mbi një plan kursimesh prej 65 miliard dollarësh të hartuar nga kryeministri Silvio Berluskoni dhe që ka për qëllim balancimin e buxhetit të qeverisë deri në vitin 2013.

"Unë mendoj se populli italian është në gjumë të thellë. Kjo demonstratë synon t’i zgjojë ata, sepse qeveria po na tërheq drejt greminës," thotë një demonstruese.

Plani i qeverisë parashikon shkurtime të shpenzimeve, rritjen e taksave plus masa kundër shmangies nga taksat si dhe një rritje në moshën e pensionit. Ai pritet të miratohet nga Senati të mërkurën dhe të kalojë Dhomën e Deputetëve rreth mesit të shtatorit.

Greva e sindikatës më të madhe në Itali kundër masave shtrënguese ka çrregulluar trafikun ajror, tokësor dhe detar si dhe ka sjellë reduktimin e shërbimeve të tjera publike në të gjithë vendin.

Ethet e krizës së borxheve të eurozonës janë përhapur në Itali, duke nxitur Bankën Qendrore Evropiane të blejë bono italiane të thesarit për të mos lejuar rritjen e kostos së huamarrjes në nivele të papërballueshme.

Kabineti i zotit Berluskoni i ka bërë një numër ndryshimesh paketës që kur e shpalli atë muajin e kaluar.

XS
SM
MD
LG