Lidhje

Në të gjithë botën, njerëzve u shijon ta kombinojnë pjatën e tyre të preferuar të makaronave me djathë të grirë parmexhan. Djathi e ka marrë emrin nga Parma, një qytet në rajonin Emilia-Romagna të Italisë së Veriut. Zona është e famshme për ushqimin e mirë, dhe më shumë për djathin e saj Parmigiano-Reggiano dhe proshutën Prosciutto di Parma, të cilat kanë fituar dhe emërtimin e produktit origjinal të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që produktet të ngjashme të prodhuara në vende të tjera të Bashkimit Evropian nuk munden të përdorin të njëjtin emër. Por, prodhuesit e ushqimeve në Parma janë të shqetësuar se imitime më të lira të proshutës dhe të djathit të tyre nga vende të tjera të botës mund të shkatërrojnë reputacionin e produkteve të tyre të rafinuara.

Djathi origjinal Parmigiano-Reggiano prodhohet nga qumështi i papërpunuar i lopës sipas një tradite 800-vjeçare. Duhen dy vjet që djathi të maturohet dhe të jetë gati për konsum. Parmigiano rrjedh në italisht nga emri i qytetit Parma, dhe Reggiano nga emri i rajonit Emilia. Në të gjithë botën, djathi njihet si parmexhan.

“Parmigiano-Reggiano rrjedh prej këtu, dhe mund të prodhohet vetëm në këtë mënyrë të caktuar dhe në këtë rajon; i gjithë proçesi fillon me qumështin e marrë nga lopët që ushqehen me bimësinë e zonës.”

Ligji evropian e klasifikon emërtimin origjinal, dhe përkthimin e fjalës parmexhan, si një emërtim i mbrojtur me origjinë të përcaktuar gjeografike.

“Gjykata Evropiane ka vendosur se emërtimi parmexhan mund të përdoret vetëm për djathin origjinal parmexhan. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme, pasi përfaqëson një vendim historik gjyqësor që ndalon të gjitha emërtimet fallso brenda BE-së.”

Por, në shumë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Brazilin, emërtimi parmexhan përdoret shpesh për djathëra të ngjashëm që prodhohen më lirë dhe më shpejt. Që pas tërmet të vitit 2012 që goditi rajonin Emilia, më shumë djathëra janë prodhuar jashtë vendit se sa në Itali, dhe më vonë janë shitur në tregun italian.

Edhe prodhuesit e proshutës Parma ankohen.

“Proshuta jonë ka gjithashtu probleme prej falsifikimit. Por problemi më i madh, më tepër jashtë vendit se sa në Itali, është keqpërdorimi i emërtimi ‘proshutë Parma’. Jashtë vendit përdorin emërtime që sugjerojnë se produktet vijnë nga Italia dhe nga zona e Parmës.”

Bashkimi Evropian po përpiqet të zgjerojë mbrojtjen në treg për ushqime që vijnë nga rajone të caktuara, siç është proshuta e Parmës së Italisë, djathi Roquefort i Francës, vera Madeira e Portugalisë, etj. Debati për këto emërtime gjeografike e ka vendosur bllokun prej 28 vendesh në kundërshti me Shtetet e Bashkuara, Australinë, Argjentinën dhe vende të tjera, gjatë bisedimeve për tregtinë.

Argumenti se emërtimi “parmexhan” është një emër i zakonshëm dhe jo një përcaktim origjine, është hedhur poshtë nga gjykata evropiane. Por, për prodhuesit e ushqimeve në Parma, kjo nuk është e mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG