Lidhje

Italianët të interesuar për zhvillimet në Libi, fqinji i tyre


Italianët të interesuar për zhvillimet në Libi, fqinji i tyre
Italianët të interesuar për zhvillimet në Libi, fqinji i tyre

Italianët po e ndjekin me interes të madh gjendjen në Libi me shpresën se paqja në këtë vend mund të ndihmojë në stimulimin e ekonomisë italiane të goditur nga kriza. Libia, si ish koloni italiane, tradicionalisht ka pasur lidhje të ngushta tregtare me Italinë. Por, afërsia gjeografike ka sjellë në Itali barrën e emigrantëve të paligjshëm që largohen nga nga Libia dhe arrijnë në ishullin jugor italian Lampedusa.

Shumë italianë shpresojnë se rikthimi i paqes në Libi do t'i japë fund emigracionit të paligjshëm dhe koston që ai sjell për Italinë, por edhe mund t’i sigurojë vendit një partner tregtar të qëndrueshëm.

"Çështja e Libisë me të vërtetë na intereson, sepse ajo është aq afër," thotë banorja e Romës, Sabrina Generali.

"Një marrëveshje me Libinë është me të vërtetë e rëndësishme, nëse atje vendoset një qeveri e qëndrueshme. Është e qartë se Gaddafi ka humbur, por më pas në Libi duhet të ketë një qeveri të qëndrueshme, sepse ajo është e lidhur mjaft ngushtë me Italinë.”

Italia po përballet me vështirësi ekonomike serioze dhe do të diskutojë këtë javë një paketë kursimi prej 45,5 miliard euro që qeveria thotë se është me rëndësi jetike për të penguar krizën e borxhit.

Sot, faqet e para të gazetave i kushtohen Libisë.

Shumë italianë mendojnë se qeveria e tyre do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me çdo regjim që do të formohet në Libi pas Gadafit.


Ministria Italiane e Mbrojtjes ka njoftuar se ish krahu i djathtë i Gadafit, Abdel Salam Jalloud, i cili ka kaluar në anën e rebelëve, erdhi për t’u strehuar në Itali gjatë fundjavës. Shumë italianët e shohin këtë si një nismë të qartë të qeverisë së tyre për të përmirësuar marrëdhëniet.

"Italia ka pasur një rol të rëndësishëm në situatën libiane. Në afat të shkurtër nuk e di nëse kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, por kur mendon se nafta libiane përbën 20 përqind të tregut të naftës globale, me siguri Italia do të shpresojë që ky të jetë një hap në drejtimin e duhur në këtë marrëdhënie me Libinë - ky duhet të jetë shkaku pse ai është në Itali," thotë banori i Romës Silvio Testa.

"Unë jam i shqetësuar se kush do të vijë në pushtet, thotë banori Carlo Zarli. Jo ata që kanë hequr, por kush do të jetë sundimtari tjetër, sepse në atë vend gjithmonë ka njerëz që në një farë mënyre do të kenë kontrollin e burimeve të tyre ekonomike".

XS
SM
MD
LG