Lidhje

Çështja e përgjimeve, sqarime nga policia italiane


Policia italiane sqaroi sot prokurorinë shqiptare lidhur me hetimet mbi një pajisje përgjimi, e cila ka zënë vend kryesor në debatet politike të ditëve të fundit.

Sipas tv Top Channel, i cili publikoi i pari letrën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, i deklaroi prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla se pajisja nuk u përdorur për asnjë përgjim, se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi.

Zoti Panza kujtoi se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare me këtë pajisje u firmosur nga 9 qershori 2007 prej ish-ministrit të brendshëm, Bujar Nishani, aktualisht President i Republikës.

Drejtuesi i lartë i policisë italiane i shkroi kryeprokurorit Llalla se marsin e kaluar erdhën në Tiranë dy operatorë të forcave italiane për trajnimin e policisë vendore, së bashku me një autoveturë në brendësi të të cilës qëndron e instaluar pajisja stërvitore.

Drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza, theksoi se “ky aset stërvitor është konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”.

Sipas zyrtarëve italianë, aparatura trajnuese ka qenë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe ruhej në brendësi të Ambasadës Italiane në Tiranë, në kohën kur nuk përdorej për trajnim.

Me atë pajisje janë trajnuar 5 operatorë të policisë shqiptare në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, dhe trajnimet nuk mund të kryenin shkelje të asnjë lloji, nga personeli i policisë italiane.

Komisioni parlamentar i sigurisë zhvilloi dje një seancë dëgjimore me drejtues të institucioneve kryesore mbi dyshimet nëse janë kryer apo jo nga policia përgjime të paligjshme telefonatash.

Opozita ka ngritur shqetësimin se një pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri prej dy muajsh në shkelje të ligjit dhe u përdor në mënyrë të paligjshme nga policia për të përgjuar biseda telefonike.

“Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe as mund të ketë asnjë pajisje përgjimi” - tha dje ministri i brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai shtoi se policia po ndjek një program trajnimesh për të rritur profesionalizmin e vet, ku nuk po shkel asnjë ligj dhe po vepron vetëm në bazë të ligjit.

Shqetësimi për një pajisje përgjimi nisi nga një informacioni i shërbimit sekret se një pajisje e tillë kishte hyrë pa u regjistruar në kufi dhe ishte vendosur në Vlorë.

Krahas polemikave mbi përgjimet dhe dekriminalizimin, qeveria dhe opozita shkëmbyen sot sërish akuza të forta për korrupsion dhe pengim të reformës në drejtësi, si dhe lidhje me njerëz të botës së krimit.

Përfaqësuesit e partisë demokratike të opozitës kërkuan që qeveria të reagojë, të distancohet dhe të ndriçojë skandalet, që po dalin në publik nga java në javë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD së opozitës, Edi Paloka, tha se KQZ nuk po publikon deklaratat e zyrtarëve për dekriminalizimin, për të dalë në dritë lidhjet e tyre me krimin.

Ndërsa kryeministri Edi Rama këmbënguli që opozita të miratojë reformën në sistemin e drejtësisë, si përgjigja më e mirë për të goditur krimin.

Prokuroria nisi hetimet mbi ardhjen në Shqipëri të një pajisje përgjimi.

Dyshimet mbi përgjime të paligjshme kanë zënë vend kryesor në debatet e fundit midis qeverisë dhe opozitës, e cila beson se përgjimet janë kryer dhe se përgjegjës për to është kryeministri Edi Rama.

Në debate u përfshi edhe presidenti Bujar Nishani, i cili akuzoi qeverinë se po pengon hetimin e prokurorisë lidhur me dyshimet për përgjime të paligjshme nga ana e policisë.

Zoti Nishani kërkoi që qeveria t’i dorëzojë hetuesve pajisjen e kërkuar nga prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procesin e hetimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG