Lidhje

Përfundon procesi i votimit në Itali


Në Itali u mbyllën qendrat e votimit dhe banorët janë tani në pritje të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, që janë konsideruar si më të rëndësishmet e viteve të fundit në këtë vend.

Sipas anketave të para pas votimit, partia demokratike e qendrës së majtë e Pier Luigi Bersanit, kryeson në dhomën e ulët të parlamentit, kurse partia e Silvio Berlusconit kryeson në Senat.

Gjatë fushatës zoti Bersani mbështeti disa prej reformave të ashpra ekonomike të nisura nga kryeministri i tanishëm Mario Monti, i cili duket se nuk ka dalë mirë në zgjedhje.


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian po i kushtojnë vëmendje të madhe zgjedhjeve të përgjithshme dy-ditore të Italisë, që mund të përcaktojnë të ardhmen e ekonomisë së tretë më të madhe të bllokut.

Votimi i sotëm përfundon pasdite vonë dhe rezultatet e para të anketave përfundimtare do të dalin menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

"Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Besoj se për fat të keq do të jetë një qeveri e pamenaxhueshme për shkak se rezultatet nuk do të jenë aq bindëse sa ne presim, pra me një fitore të qartë të koalicionit të majtë", thotë Riccardo Ricci, banor i Romës.

"Jam i bindur se pas këyre zgjedhjeve do të kemi një klasë politike më njerëzore", thotë Alessandro Di Gregorio, banor i Romës

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se partia Demokratike e qendrës së majtë dhe udhëheqësi i saj Pier Luigi Bersani kryesojnë me një avantazh të lehtë, dhe ka të ngjarë që të mos arrijnë të sigurojnë shumicën legjislative të nevojshme për të çuar përpara reformat ekonomike, pa formimin e një koalicioni.

Një paraqitje e mirë e kandidatëve populistë, si ish-humoristi i shndërruar në politikan, Beppe Grillo, dhe Lëvizja e tij me Pesë Yje, mund të bëjë që Italia të mos ketë një fitues të qartë në zgjedhjet parlamentare, që do të mund të niste një betejë politike për formimin e një koalicioni qeverisës.

Reformat e ndërmarra në vend rrezikojnë të bllokohen edhe nga numri i madh i votuesive që i kundërshtojnë ato, ndërkohë që kryeministri aktual Mario Monti, sipas anketave, nuk është favorit. Tubimet e protestave të Beppe Grillos kanë tërhequr dhjetëra mijëra njerëz, në javët e fundit.

Menjëherë pas zotit Bersani renditet ish-kryeministri Silvio Berluskoni. Miliarderi italian po kërkon të realizojë një rikthim të vështirë politik, ndërsa përballet me çështje gjyqësore për akuza që variojnë nga mashtrimet deri tek kryerja e marrëdhënive seksuale me një prostitutë të mitur.

XS
SM
MD
LG