Lidhje

Itali: Verë pa pesticide


Bujqësia biodinamike mbështetet tek përdorimi i plehrave natyrore dhe tek cikli i hënës

Në Toskanë të Italisë, prodhuesit e verës po heqin dorë nga përdorimi i pesticideve, duke e vendosur rajonin në qendër të skenës biodinamike të Italisë. Bujqësia biodinamike përjashton kimikatet dhe mbështetet tek përdorimi i plehrave natyrore dhe tek cikli i hënës.

Në zonat e fshatrave të Toskanës në Itali shihen kodra të shumta të gjelbëruara buzë luginave mjaft të hijshme. Toskana është gjithashtu rajoni ku prodhohen disa prej verërave më të mira të Italisë.
Por kjo industri shekullore po fillon të ndryshojë disa nga rregullat e saj. Prodhuesit e verës po heqin dorë nga pesticidet për të përqafuar një mënyrë biodinamike të zhvillimit të bujqësisë.

Vreshti La Maliosa në Mançano është një sapo ka hyrë në skenën biodinamike. Rrushi në të rritet mes luleve si Calendula dhe Phacelia, ndërsa insektet kanë përreth një mjedis shumë të përshtatshëm. Varietetet e rrushit Alicante dhe Ciliegiolo lulëzojnë këtu pa ndihmën e asnjë pike pesticidesh.
Pronarja e La Maliosa-s, Antonella Manuli është një sipërmarrëse nga Milano. Ajo hyri në botën e verës biodinamike në vitin 2005, me blerjen e këtij vreshti dikur të braktisur.

"Toskana është veçanërisht e përshtatshme për vreshtari biodinamike, sidomos për shkak të relievit së terrenit. Me gjithë këto kodra që ndahen në ngastra të vogla, krenaria e këtij rajoni nuk mund të jetë bujqësia intensive. Në fakt, lloj i bujqësisë që ne zhvillojmë ruan më së miri bukurinë e peisazhit."

Zonja Manuli punësoi specialistin e aftë të verave, Enrico Bachechi, për t’u kujdesur për vreshtin.

Sipas zotit Bachechi, vreshtaria moderne bën gabimin e të konsideruarit natyrën si armikun e saj.

"Është një betejë e pafund kundër barërave të këqija, insekteve, kërpudhave, bakterieve. Kjo është një betejë e humbur që në nisje. Prandaj, arrihet në abuzim me kimikatet, të cilat grumbullohen mbi tokë, duke ndotur burimet ujore, e duke e bërë punën jashtëzakonisht të vështirë për vreshtarët. Në bujqësinë biodinamike, ne kemi marrë një qëndrim të kundërt. Në fakt, baza e saj është bashkëjetesa e të gjitha qenieve të gjalla".

Me anë të vreshtarisë biodinamike prodhuesit e verës përpiqen të krijojnë harmoni në vreshtat e tyre, dhe luftojnë barërat e këqija duke mbjellë më shumë lule dhe duke i përdorur ato si pleh natyror, duke trajtuar tokën me përgatitje biodinamike, dhe duke ndjekur ciklet e hënës.

Pak ditë pas natës me hënën e plotë më të shndritur të vitit, zoti Bachechi spërkat vreshtin me diçka të quajtur "Preparati 500", një përzierje e veçantë plehu organik lope, i mbajtur brenda një briri dhe i groposur gjatë dimrit.

“Preparati 500” është pleh, jo pesticid. Ithtarët e biodinamikës ngulmojnë se kjo e bën tokën të pasur me minerale, duke lejuar që rrushi të rritet i shëndetshëm, ndërkohë që nuk vret insektet dhe parazitët. Kundër tyre vreshtarët biodinamikë kërkojnë mënyra për të gjetur grabitqarët e duhur, ose - për të forcuar rezistencën e vreshtave - përdorin përzierje bimore që mund të krahasohen me antibiotikë natyrorë.

Një diçka e ndërmjetme midis shkencës dhe filozofisë, bujqësia biodinamike mbështetet në parimet e vendosura nga Rudolph Steiner, një filozof austriak i fundit të shekullit 19-të.

Vera biodinamike në përputhje me udhëzimet e Steinerit, vlerësohet nga një kompani certifikuese ndërkombëtare, e quajtur Demeter.
Por në provincën me famë botërore Chianti, kompania Querciabella, një eksportues i suksesshëm i verës biodinamike, kohët e fundit po promovon një recetë biodinamike origjinale, duke hedhur poshtë protokollin zyrtar të certifikuesit Demeter.

Stephanie Cuadra, është përgjegjëse e marketingut për firmën Querciabella:

"Kur themi se ka një numër të madh prodhuesish biodinamikë në Toskanë, mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë se nuk kemi të bëjmë me një grup homogjen. Bëhet fjalë për një grup prodhuesish që janë të motivuar nga vlera të caktuara, por që në i shprehin ato vlera në mënyra mjaft specifike dhe ideosinkretike."

Për herë të parë këtë vit, verërat biodinamike italiane u ekspozuan në Vinitaly, panairi më i rëndësishëm i verërave në vend, nën emërtimin "Verëra Natyrore."


XS
SM
MD
LG