Lidhje

Ivanka Trump dhe fuqizimi i saj


Ajo e ka zyrën në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, mund të komunikojë në facetime me udhëheqësit botërorë dhe ka mundësi të pakrahasueshme komunikimi me Presidentin. Ndërsa roli i Ivanka Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rritet, janë duke u shtuar edhe reagimet e ashpra ndaj saj.

Ivanka Trump, Vajza e Parë e SHBA, me një ndikim të pashembull, të paparë më parë në historinë e Amerikës, është bërë objekt diskutimesh të zjarrta, mbarëkombëtare, lidhur me politikat gjinore dhe pikëpamjet e saj ideologjike. Ndërsa ka mundur të sigurojë admirues për interesimin e saj në avancimin e grave, kritikët vënë në pikëpyetje kualifikimet e saj, fuqinë që ka fituar, politikat në të cilat ajo beson dhe normat e etikës që e rrethojnë.

Ivanka Trump tregoi të mërkurën se ajo është e ndjeshme për një pjesë të diskutimeve për të.

Pas mohimit për shumë javë rresht se do të kishte një rol zyrtar në Shtëpinë e Bardhë të të atit, ajo tha se do të bëhej punonjëse federale, por pa pagesë. Ky vendim i saj synonte të bënte të heshtin ekspertët e etikës, të cilët kanë theksuar se roli i saj jozyrtar e ka lejuar të shmangë zbulimin e dokumenteve ku pasqyrohen të ardhurat e saj, si dhe kërkesa të tjera që lidhen me transparencën.

Përmes një deklarate, ku ajo bënte të njohur vendimin e saj, Ivanka Trump thonte se "kishte dëgjuar shqetësimin" e kritikëve dhe se po punonte në Shtëpinë e Bardhë për të realizuar "rolin tim të paprecedent", siç shprehej ajo.

Më parë ajo pati thënë se kishte në plan të punonte jashtë krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, ku janë zyrtar e Presidentit dhe këshilltarëve të tij, në një kapacitet më pak zyrtar, ndërsa do të ndiqte vullnetarisht rregullat e etikës.

Kur e pyetën lidhur me kritikat për punën e saj në Shtëpinë e Bardhë, Ivanka Trump pranoi përmes një deklarate për agjencinë "Associated Press" se nuk do të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë, në se i ati nuk do të ishte zgjedhur president. Por ajo shtoi se "donte të shtonte atje vlera pozitive dhe se njerëzit do të kenë mundësinë të më gjykojnë me kalimin e kohës, në se kam qenë e suksesshme në synimin tim."

Vështirë të gjenden në historinë e Shteteve të Bashkuara, anëtarë të një Familjeje të Parë, të cilët të kenë nxitur një nivel të tillë kurioziteti të publikut, si dhe një debat të gjerë, sidomos mes grave që merren me politikë.

Disa nga kritikat më të ashpra, por jo të gjitha, kanë ardhur nga liberalët, të cilët mendojnë se Ivanka Trump ka bërë shumë pak për zbutjen e programit konservator të Presidentit.

Ivanka Trump ka trajtuar disa çështje që lidhen me gratë, si leja për familjen dhe kujdesi për fëmijët, me të cilat kryesisht merren demokratët, duke bërë që shumë të mendojnë se ajo nuk beson në të njëjtat politika nacionaliste të të atit.

Që nga koha e fillimit të detyrës nga Presidenti Trump,, ajo ka organizuar disa aktivitete që lidhen me gratë dhe marrëdhëniet me punën, por ka shmangur komentet në publik lidhur me kufizimin e udhëtimeve për në Shtetet e Bashkuara, ndërtimin e murit me Meksikën, shkurtimet e propozuara të buxhetit, apo kufizimin e rregulloreve për ndryshimet klimatike.

"Për të gjitha gratë që kishin shpresa tek Ivanka Trump, se ka për të luajtur rol në zbutjen e politikave, kjo nuk ka ndodhur", - thotë shkrimtarja Jennifer Weiner.

Përkrahësit e Ivanka Trump-it thonë se Vajza a Parë po gjykohet bazuar në disa standarte tepër të larta dhe të padrejta për të. Carrie Lukas, drejtoreshë e rrjetit konservator të grave "Independent Women's Network", thotë se "kritikët, kur e gjykojnë atë, nuk kanë parasysh faktin se ajo është një grua shumë e kompletuar".

Ivanka Trump është 35 vjeçe, ka tre fëmijë dhe më parë ka patur role drejtuese në Organizatën Trump. Ajo ka kompaninë e prodhimit të veshjeve dhe bizhuterive që mban emrin e saj. Ajo hoqi dorë nga drejtimi i kompanisë kur erdhi në Uashington, por vazhdon të mbajë pronësinë e saj.

Ndikimi i Ivanka Trump-it në Shtëpinë e Bardhë është forcuar me shpejtësi. Krahas me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, këshilltar i lartë i Presidentit, ajo është bërë pjesë e pandarë e saj.

Ajo ka kryesuar aktivitete që më parë janë zhvilluar nga Zonjat e Para: këtë javë ajo priti në në Shtëpinë e Bardhë gra afariste, mbajti një fjalim për rëndësinë e studimit në shkenca për vajzat, dhe njoftoi se në prill do të shkojë për vizitë në Gjermani. Ajo gjithashtu ka qenë e pranishme në takime me udhëheqës të huaj, si psh me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ndërsa nuk është i qartë ndikimi i saj në Shtëpinë e Bardhë, dihet që Ivanka është shumë e afërt me të atin, i cili këtë javë mori pjesë në një tryezë bisedimesh, ku vlerësoi punën e saj për çështjet ekonomike të grave. Duke përmendur ftesën që i është bërë Ivanka Trumpit për të marrë pjesë në takimin e Berlinit muajin në prill, Presidenti tha se ajo "do të punojë së bashku me kancelaren gjermane Merkel për çështje të ngjashme".

Premtimet e Ivanka Trumpit për të mbështetur propozimet pro-familjes, janë parë me skepticizëm prej disave. Ajo ka pak eksperiencë në politikë dhe mbështetje të pakët nga ligjvënësit republikanë.

Kritikët theksojnë se ajo ka qëndruar në heshtje lidhur me ligjin për shërbimin shëndetësor të mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, sipas të cilit do të bllokoheshin për një vit fondet federale për programin e Planifikimit Familjar dhe do të kufizonte lejen e lindjes dhe kujdesin për fëmijët.

Ndërsa ligji votohej në Kongres javën e kaluar, Ivanka ishte me pushime me familjen në rezortin e skive në Aspen të Kolorados.

"Ivanka Trump është grua, e cila është një nënë që punon", thotë Juliet Williams, profesore për çështjet gjinore në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos. "Këto nuk janë cilësitë e nevojshme për ta bërë atë udhëheqëse në përpjekjet e kësaj administrate për të trajtuar sfidat me të cilat përballen gratë në marrëdhënie punë,"- shton ajo.

Por, disa gra më liberale kanë ofruar mbështetjen e tyre. Ivanka Trump u vlerësua muajin e kaluar nga Anne Marie Slaughter, e cila 5 vjet më parë shkroi një ese që fitoi shumë pupullaritet në revistën "The Atlantic", për çështjen se përse kishte hequr dorë nga puna në Departamentin e Shtetit, me synimin për të kaluar më shumë kohë me familjen e saj. Ajo komentoi në Twitter, duke e mbrojtur Ivankën ndaj kritikave lidhur me me politikat për kujdesin për fëmijët që u ofruan gjatë fushatës.

Slaughter shkruante se: në se Trump "do të kapërcente me sukses kritikat ndaj saj, ky do të ishte një përparim i vërtetë dhe i rëndësishëm."

Vajza e Parë po i bën njerëzit për vete. Dyan Gibbens, pronare e firmës "Trumball Unmanned", që bashkëpunon me industrinë e energjisë, pati dy takime në Shtëpinë e Bardhë, prej nga doli me përshytpje shumë të mira për Ivanka Trumpin.

"Ajo është e përmbajtur, me besim në vete, flet mirë dhe është e edukuar, cilësi të cilat ne të gjithë duam që t'i kenë vajzat tona. Le t'i japim asaj një mundësi të tregojë veten."- u shpreh Gibbens.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG