Lidhje

Përpjekje e re për t'i dhënë fund luftimeve në Gazë

  • Scott Stearns

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun dhe Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ndodhen në Kajro, në përpjekje për të nxitur një plan egjiptian për t'i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Me të mbërritur në Kajro, zoti Ban bëri thirrje për një armëpushim "pa kushte". Sekretari Kerry, i cili arriti ndaras në kryeqytetin egjiptian, pritet të bisedojë me shefin e OKB-së mbi një paketë të ndihmave humanitare prej 47 milionë dollarësh për të ndihmuar mijëra banorë të zhvendosur të Rripit të Gazës.

Më parë të hënën, Presidenti amerikan Barak Obama tha se nisma e paqes duhet të ketë për qëllim ndalimin e luftimeve dhe ndalimin e vrasjes së civilëve.

Përpjekja e fundit diplomatike erdhi ndërkohë që avionët luftarakë izraelitë goditën më shumë se 50 objektiva, duke përfshirë një ndërtesë të lartë në qytetin e Gazës, në të cilin dëshmitarët thonë se u vranë të paktën 11 vetë dhe u plagosën 50 të tjerë. Hamasi tha se ka gjuajtur 50 raketa të tjera në Izrael dhe vazhdon përpjekjet për dërgimin e luftëtarëve në vend përmes tuneleve.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry sot në Kajro do të zhvillojë bisedime me zyrtarët egjiptianë dhe ata të Lidhjes Arabe për të gjetur një mënyrë për ndërprerjen e luftimeve në Rripin e Gazës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns njofton nga kryeqyteti egjiptian.

Presidenti Barak Obama tha se ai po dërgon Sekretarin Kerry në Kajro për të nxitur përpjekjet për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive të bazuar në kthimin në armëpushimin e nëntorit të vitit 2012 mes Izraelit dhe Hamasit.


"Kjo nuk do të jetë e lehtë. Situata është e acaruar dhe ka disa çështje shumë të vështira strategjike. Megjithatë, unë i kam kërkuar Sekretarit Kerry të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar në lehtësimin përpjekjeve për ndërprerjen e armiqësive. Ne nuk duam të shohim më vrasje të civilëve".

Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që po udhëtojnë me Sekretarin Kerry thonë se rritja e viktimave në mesin e popullatës civile është një "shqetësim në rritje" në Uashington dhe ka nxitur udhëtimin në Kajro.

Rivendosja armëpushimit të vitit 2012 është më e vështirë për shkak të ndryshimit të qeverisë në Kajro. Ish-presidenti egjiptian Mohamed Morsi dhe Vëllazëria e tij Myslimane kanë negociuar këtë marrëveshje, pjesërisht, për shkak të lidhjeve të forta dhe të gjata me Hamasin.

Udhëheqësi i ri i Egjiptit, gjenerali Abdel Fattah al-Sisi, nuk është mbështetës i madh i Hamasit, që do të thotë se Sekretari Kerry duhet të përfshijë në bisedime mbështetësit e Hamasit si Katarin dhe Turqinë.

Por Katari dhe Egjipti kanë mosmarrëveshje mbi trajtimin e Vëllazërisë Myslimane që pas grushtshteti kundër zotit Morsi. Tensionet mes Turqisë dhe Izraelit janë rritur që nga hyrja e trupave izraelite në Rripin e Gazës. Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan e ka quajtur Izraelin një shtet terrorist që po përpiqet të bëjë "gjenocid sistematik" kundër palestinezëve.

Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit thonë se kthimi në armëpushimin e mëparshëm do të jetë i vështirë edhe për shkak se konflikti i tanishëm është në një fazë më intensive në krahasim me atë të vitit 2012, dhe për shkak se Hamasi beson se premtimet e dy viteve më parë nuk janë realizuar, prandaj këtë radhë bindja e Hamasit për nënshkrimin e një armëpushimi do të jetë më e vështirë.

Javën e kaluar, Hamasi kundërshtoi një plan egjiptian armëpushimi sepse sipas udhëheqësve të grupit ai nuk ofronte lehtësimin e bllokadës izraelite dhe egjiptiane ndaj Rripit të Gazës.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se "mund të ketë një përpjekje" për të trajtuar kalimet kufitare në bisedimet e reja për armëpushim, duke theksuar se Uashingtoni është në kërkim të "gjetjes së një zgjidhje më të fuqishme" të konfliktit përtej arritjes së një armëpushimi.

Në Kajro mbrëmë, Sekretari Kerry njoftoi një ndihmë humanitare amerikane prej 47 milionë dollarësh për palestinezët, duke përfshirë strehimin, ushqime, dhe furnizime mjekësore për Rripin e Gazës. Administrata e Presidentit Obama thotë se mbetet e angazhuar në përpjekjet për trajtimin e nevojave humanitare të palestinezëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

XS
SM
MD
LG