Lidhje

Izraeli dhe palestinezët vazhdojnë sulmet


Izraeli vazhdoi për të katërtën ditë ofensivën në Gaza ndërsa militantët palestinezë vazhduan sulmet me raketa mbi shtetin palestinez.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se të paktën tre njerëz gjetën vdekjen në një sulm izraelit në një shtëpi në Gaza sot paradite.

Në një zhvillim tjetër sot, zyrtarët izraelitë thane se një raketë ishte hedhur në veri të Izraelit nga Libani jugor por pa shkaktuar viktima në njerëz. Nuk ishte menjëherë e qartë se kush e ka lëshuar raketën. Izraeli tha se u kundërpërgjigj me zjarrin e artilerisë.

Një raketë e hedhur nga Rripi i Gazës goditi një stacion karburanti në qytetin jugor izraelit të Ashdodit sot, duke shkaktuar flakë të mëdha. Zyrtarët thane se disa njerëz u plagosën në shpërthim.

Shefi i OKB-së Ban Ki-moon bëri thirrje dje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin izraelit me militantët e Hamasit në Gaza, por asnjëra nga palët nuk tregoi ndonjë shenjë për të ndalur sulmet.

"Të gjitha palët, përfshi grupet e armatosura palestineze duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar. Izraeli ka shqetësime legjitime të sigurisë. Por unë jam gjithashtu i shqetësuar me numrin e madh të vdekjeve nga radhët palestineze si rezultat i operacionit izraelit".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha në një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit se Izraeli dhe Hamasi “duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale” për të ndalur luftimet.

Ndërsa avionët izraelitë sulmuan pa ndërprerë qindra objektiva të Hamasit në Gaza dje, kryeministri Benjamin Netanyahu i tha një komisioni parlamentar se një armëpushim as që nuk është në plan të punës.

"Ne do të vazhdojmë të mbrojmë civilët tanë ndaj sulmeve të Hamasit. Në kontrast Hamasi po i vë qëllimisht civilët palestinezë në rrezik".

Hamasi vazhdoi të hedh raketa mbi Tel Aviv dhe Jeruzalem, megjithëse shteti hebraik tha se sistemi i mbrojtjes nga raketat ka asgjesuar shumicën e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG