Lidhje

Izraeli dënon planet për qeverinë e re palestineze

  • Robert Berger

Izraeli dënoi planet palestineze për të krijuar një qeveri të re. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos njohë qeverinë e re palestineze të unitetit që pritet të formohet sot.

Qeveria e re përfshin Autoritetin Palestinez me prirje laike, që kontrollon pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor si dhe grupin ekstremist islamik Hamas që kontrollon Rripin e Gazës.

Në komentet gjatë takimit të përjavshëm të Kabinetit, zoti Netanyahu u shpreh se bota nuk duhet ta përkrahë këtë qeveri:

“Hamasi është organizatë terroriste që kërkon shkatërrimin e Izraelit”.


Një qeveri e tillë nuk do t’i shërbente paqes, ajo do të forconte terrorin, tha zoti Netanyahu.

Presidenti palestinez Mahmud Abaz vendosi t’i japë fund armiqësisë me Hamasin pasi bisedimet e paqes me Izraelin ngecën një muaj më parë. Hamasi është kundër negociatave të paqes dhe nuk njeh të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Por zoti Abaz tha se politikat e tij për paqe mbeten pozita zyrtare e qeverisë.

Negociatori palestinez për paqe Saeb Erakat tha se ekziston një mundësi e vyer për të sjellë Hamasin në procesin e paqes.

“Kemi mundësinë për të pasur një autoritet të vetëm, një sistem ligjor, një qeveri dhe një program për ekzistencën e dy shteteve dhe njohjen e Izraelit, duke hequr dorë nga dhuna”.

Presidenti Abaz thotë se Izraeli e ka informuar se do të bojkotojë qeverinë e re palestineze.

Ashtu si Izraeli, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hamasin si organizatë terroriste. Por Amerika po tregohet e rezervuar në komente. Departamenti i Shtetit tha se do ta studiojë përbërjen e qeverisë së re dhe pastaj do të vendosë nëse është një qeveri me të cilën Amerika mund të punojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG