Lidhje

Bisedimet izraelito-palestineze të paqes


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se negociatorët izraelitë dhe palestinezë kanë rënë dakord të takohen sërish brenda dy javëve të ardhshme për të filluar negociatat thelbësore dhe se ai synon nënshkrimin e një marrëveshje përfundimtare paqeje brenda nëntë muajsh.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, duke folur përkrah ministres izraelite të drejtësisë Tzipi Livni dhe kryenegociatorit palestinez Saeb Erekat, tha se diskutimet këtë javë ishin "pozitive dhe konstruktive", dhe se ai është i bindur se të dyja palët mund të arrijnë konsensus për paqen.

Pas bisedimeve të zhvilluara dje në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Barak Obama dhe atyre në Departamentin e Shtetit, sekretari Kerry tha se të dyja palët kishin rënë dakord që të negociohet për gjitha çështjet e debatueshme si kufijtë, refugjatët dhe fatin e Jerusalemit.

"Palët kanë rënë dakord sot këtu që të gjitha çështjet që lidhen me statusin përfundimtar dhe të gjitha çështjet e tjera të jenë pjesë e bisedimeve. Ata janë kthyer në tavolinën e bisedimeve me një synim të thjeshtë, një këndvështrim që ka për qëllim përfundimin e konfliktit dhe pretendimeve. "

Ministrja izraelite e drejtësisë, Tzivi Livni tha se ajo kishte udhëtuar për në Uashington "nga një rajon i trazuar dhe në ndryshim" dhe se qeveria e saj "e ka për detyrë të bëjë gjithçka që është e mundur për sigurinë e popullit izraelit."

Ajo tha se ekipi i saj nuk ka asnjë iluzion në lidhje me detyrën e tij.

"Ne e dimë se bisedimet do të jenë të vështira. Por unë mund t'ju siguroj se nuk është qëllimi ynë të argumentojmë mbi të kaluarën, por të krijojmë zgjidhje dhe të marrim vendime për të ardhmen."

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat falënderoi presidentin Obama dhe sekretarin Kerry për përpjekjet e tyre "të pandalshme", dhe tha se askush nuk përfiton më shumë nga bisedimet e suksesshme se sa palestinezët.

"Jam i kënaqur që të gjitha çështjet që lidhen me statusin final janë pjesë e bisedimeve dhe do të zgjidhen pa asnjë përjashtim. Ka ardhur koha që populli palestinez të ketë shtetin e tij të pavarur dhe sovran."

Dy ditët e bisedimeve në Uashington ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve në gati tre vjet.

Sekretari Kerry tha se çështjet për të cilat do të bisedohet janë të vështira, të komplikuara, emocionale dhe simbolike dhe u kërkoi të dyja palëve të bëjnë "kompromise të arsyeshme."

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael Martin Indyk do të jetë i dërguari kryesor amerikan në këto bisedime.
XS
SM
MD
LG