Lidhje

Revoltim në Izrael pas komenteve të Sekretarit Kerry

  • Robert Berger

Ndërkohë që bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për paqe në Lindjen e Mesme hyjnë në muajin e shtatë, tensione në rritje janë shfaqur mes Izraelit dhe Uashingtonit.

Zyrtarët izraelitë kanë shprehur irritim të dukshëm pasi Sekretari i Shtetit John Kerry paralajmëroi se nëse bisedimet e paqes me palestinezët dështojnë, Izraeli mund të ndeshet me bojkote të reja ndërkombëtare. Zoti Kerry i bëri komentet në Konferencën e Mynihut për Sigurinë

"Ekziston një fushatë që po zgjerohet për delegjitimizimin e Izraelit. Njerëzit janë tepër të ndjeshëm. Po diskutohet mundësia e bojkoteve dhe masa të tjera. A do të na shërbente një gjë e tillë?”

Në takimin e përjavshëm të kabinetit qeveritar në Jeruzalem, ministrat izraelitë i konsideruan këto komente si kërcënim të drejtpërdrejtë: Bëni lëshime ndaj palestinezëve, përndryshe do të paguani haraçin:

Ministri i Cështjeve Strategjike Yuval Steinitz tha se Izraeli nuk do të negociojë me “revolen tek koka” veçanërisht kur kërcënohen interesat e tij jetike kombëtare.

Ai i përshkroi komentet e zotit Kerry si “të dëmshme, të padrejta dhe të patolerueshme”.

Departamenti i Shtetit nxori një sqarim ku thuhej se komentet e zotit Kerry ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se Sekretari Shtetit kundërshton me forcë çdo lloj bojkoti kundër Izraelit dhe po fliste vetëm për veprime të ndërmarra nga palë të tjera. Për shembull, Bashkimi Evropian ka kërcënuar të bojkotojë produkte nga vendbanimet hebraike dhe disa kompani evropiane kanë ndaluar aktivitetin e biznesit me kompani izraelite që veprojnë në Bregun Perëndimor.

Në hapje të sesionit të Kabinetit, Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit dëmton përpjekjet e paqes, pasi bën që palestinezët të ashpërsojnë qëndrimin e tyre.

"Përpjekjet për të bojkotuar shtetin e Izraelit janë të pamoralshme dhe të padrejta dhe nuk do të kenë sukses”.


Mosmarrëveshjet e fundit nxjerrin në pah dyshimet në rritje të qeverisë izraelite ndaj përpjekjeve të Sekretarit Kerry për të krijuar një shtet palestinez. Zoti Kerry ka vizituar 11 herë rajonin gjatë vitit të kaluar dhe elementët më konservatorë në Kabinetin izraelit shqetësohen se ai po e shtyn Izraelin drej lëshimeve të rrezikshme territorialë që do të dëmtonin interesat kombëtare. Ministri izraelit i Mbrojtjes tërhoqi vëmendje muajin e kaluar kur e cilësoi zotin Kerry si i fiksuar pas një ideje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG