Lidhje

Izrael, protesta kundër diskriminimit të grave nga ultra konservatorët hebraikë

  • Scott Bobb

Izrael, protesta kundër diskriminimit të grave nga ultra konservatorët hebraikë

Izrael, protesta kundër diskriminimit të grave nga ultra konservatorët hebraikë

Kohët e fundit, gra izraelite kanë nisur protesta kundër asaj që ato konsiderojnë si përpjekje nga ana e disa ultra konservatorëve të fesë hebraike për të përjashtuar ato nga vendet publike. Besimtarët ultra konservatorë kundërshtojnë se janë ata personat ndaj të cilëve po ushtrohet diskriminim.

Është një mbrëmje dimri në Jeruzalemin qendror. Aktivistët po përgatiten për një protestë kundër autobuzëve të ndarë që lëvizin në lagjet e ultra konservatorëve hebraikë të qytetit.

Gratë u ulën përpara në vend që të uleshin pas, ashtu siç ato duhet të bëjnë këtu. Disa besimtarë të hebraizmit ultra konservator mendojnë se burrat dhe gratë duhet të qëndrojnë të veçuar në publik, edhe pse kjo është e paligjshme në Izrael. Gratë që kundërshtuan rregullin e veçimit janë fyer herë pas here.

Anat Hoffman është një aktiviste e lëvizjes për reformën fetare. Ajo thotë se ultra konservatorët hebraikë, në shumicën e rasteve, jetojnë një jetë izoluar në komunitete të mbyllura, por kjo po ndryshon.

“Disa grupe ekstremistësh po sfidohen nga gratë e komunitetit të tyre të cilat po ndryshojnë në kohët moderne, me anë të arsimimit dhe duke kuptuar më tepër botën. Ato po mundohen të kontrollojnë veprimet e tyre.”

Në disa lagje, reklamat që tregojnë gra janë dëmtuar. Grave u kërkohet të ecin në anën tjetër të rrugës dhe së fundmi një vajzë 11 vjeçare tha në televizion se ishte sulmuar. Kritikët thonë se rabinët i tolerojnë këto veprime.

Por rabini dhe anëtari i parlamentit të Izraelit Eichler nuk është i të njëjtit mendim. Ai thotë se problemi nuk është feja por diskriminimi ndaj ultra ortodoksëve.

“As rabinët ekstremistë nuk e lejojnë dhunën sepse dhuna është kundër hebraizmit, kundër Torës, kundër vullnetit të Zotit.”

Antropologia e Universitetit Hebraik, Tamar El Or, thotë se komuniteti i ultra konservatorëve po rritet dhe po bëhet më i shumëllojshëm. Shumë njerëz, të cilët gjatë gjithë jetës vetëm kanë studiuar fenë apo janë kujdesur për familjen, po detyrohen të kërkojnë punë. Njëkohësisht, shoqëria jofetare e Izraelit po bëhet edhe më tepër laike.

“Këto janë dy zhvillime ose dy forca shoqërore të cilat shkojnë kundër njëra tjetrës. Është në natyrën e tyre të ndeshen herë pas here. Kjo është diçka karakteristike e Izraelit, por çdo shoqëri ka veçori dhe tensione dhe është detyrë e shtetit t’i kontrollojë ato.”

Zonja El Or thotë se duhet imponuar zbatimi i ligjeve kundër diskriminimit. Por shoqëria izraelite duhet të krijojë gjithashtu hapësira për komunitetin e ultra konservatorëve hebraikë. Zonja El Or thotë se tensionet do të vazhdojnë për sa kohë që udhëheqësit politikë dhe fetarë nuk vendosin të ndërmarrin veprime për të zgjidhur problemin.

XS
SM
MD
LG