Lidhje

Replikat mes Shtëpisë së Bardhë dhe Izraelit


Replikat lidhur me vendimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të pranuar një ftesë për të folur para Kongresit amerikan javën e ardhshme, janë përshkallëzuar. Komentet e Këshilltares së Sigurisë Kombëtare, Susan Rice që kritikoi ashpër këtë vendim, kanë shtuar edhe më shumë pikëpyetje për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të tyre më të ngushtë në Lindjen e Mesme.

Reagimi i Këshilltares për Siguri Kombëtare, Susan Rice në intervistën që dha në televizionin PBS, ishte më i ashpri deri sot.

“Të dyja palët e kanë politizuar këtë çështje që është jo vetëm për të ardhur keq por shkatërrimtare për marrëdhënien mes dy vendeve”.

Për administratën e Presidentit Obama, problemi është që ftesa për zotin Netanyahu erdhi nga kundërshtarët e tij në kongresin e mbizotëruar nga republikanët dhe vizita e kryeministrit izraelit nuk do të përfshijë një takim me zotin Obama.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbështetën fjalët e zonjës Rice, duke thënë se marrëdhëniet me Izraelin duhet të dalin mbi politikën e brendshme.

“Në Shtetet e Bashkuara ka një traditë të gjatë përpjekjesh që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të mos reduktohen në një marrëdhënie mes partive politike”.

Komentet e zonjës Rice ishin treguesi më i qartë i indinjatës së administratës amerikane dhe asaj që disa po e ciklësojnë si pikën më të ulët të marrëdhënieve mes një qeverie amerikane dhe Izraelit.

Vullneti i zotit Obama për të negociuar me Iranin është një nga arësyet për mosmarrëveshjen, por prej vitesh ka qenë e qartë se dy udhëheqësit nuk kanë marrrënie të mira personale.

Vetë marrëdhënia SHBA-Izrael, konsiderohet shumë e rëndësishme për t’u prishur. Presidenti Obama ka nënshkruar për vazhdimësinë e mbështetjes ushtarake për shtetin hebraik, përfshirë financimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat “Kupola e Hekurt” për të interceptuar raketat nga Gaza.

Problemet janë shkaktuar nga rrethanat aktuale, thotë ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Aaron David Miller.

“Marrëdhënia personale mes Netanyahut dhe Barack Obamës, është si një telenovelë e vazhdueshme. Tani po afrohet momenti i vendim-marrjes për negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe kjo e bën më delikate gjendjen. Nga ana tjetër për herë të parë gjatë presidencës Obama, Republikanët kanë kontrollin e Kongresit dhe në mars zhvillohen zgjedhjet në Izrael”.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Izraelin në të kaluarën ka qenë zakonisht jopartiake, por thirrja nga disa ligjvënës demokratë që demokratët ta bojkotojnë fjalimin e zotit Netanyahu të martën, ishte një tjetër shenjë se qëndrimi amerikan ndaj Izraelit mund të jetë duke ndryshuar.

Presidenti Obama në të kaluarën ka folur në takimet e përvitshme të grupit kryesor lobist pro-Izrael, AIPAC. Këtë vit ai po dërgon përfaqësuesen amerikane në OKB, Samantha Powers dhe këshilltaren Susan Rice.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG